Kreu i qeverisë Sali Berisha ka kujtuar më një konferencë për shtyp fitoren e PD në 22 mars të vitit 1992. 17 vjet më pas në cilësinë e kryeministrit, ish lideri që udhëhoqi fitoren e opozitës antikomuniste pasi bërë një ekspoze të kontributit që e djathta ka dhënë në proceset integruese të vendit, theksoi se i vetmi kthim mbrapa është besimi tek slogani i opozitës, që fton shqiptarët të bashkohen përtej së majtës e së djathtës.

Sali Berisha: “Dëgjoni çdo ditë refrenin e doktrinës politike fundamentaliste apo nihiliste të mallkimit dhe mohimit të 7 mijë viteve madje 18 viteve të fundit, si dhe thirrjen për bashkim përtej të majtës dhe të djathtës. Ata në mënyrë tinëzare kërkojnë të mbrojnë të shkuarën tonë të hidhur diktatoriale. Ata e ofrojnë si të ardhme të shkuarën tonë para 18 viteve, por me këtë le t’i deklarojmë Don Kishot të historisë.”

Pyetjes se si e sheh një koalicion qeverisës mes LSI-së dhe PS-së, Berisha iu përgjigj se ai është një bashkim pa sens dhe një aleancë mes të humburve.

Sali Berisha: “Ato dy forca janë gjysmat simetrike të mollës së kalbur. Që të dyja të bindura në humbjen e tyre të sigurtë lëshoi thirrje apele të ndërdheshme dhe të mbidheshme për koalicion, por kur të shohin veshin e tyre pa pasqyrë, atëherë do mund të bëjnë koalicion me forcën fitimtare të këtyre zgjedhjeve që është PD, do të rrinë dhe ca vite në opozitë. Çfarë është koalicioni që shpallin, është koalicion në humbje, bashkim në humbje, por le të bashkohen ç’punë kam unë me ta?”

Lidhur me dyshimet e ngritura nga opozita për vonesa në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta ID, kryeministri garantoi se në këto zgjedhje shqiptarët do të votojnë për herë të parë pa certifikata, duke ftuar Ramën të aplikojnë së bashku për letërnjoftimin e ri elektronik.

Sali Berisha: “E ftoj kryetarin e PS të bashkërendojmë orën në të cilën të marrim këto letërnjoftime me qenë se nuk jemi në një gjendje civile të njëjtë se ai është në Pezë, por po, po atje është. Por edhe ai në atë gjendje civile të Pezës dhe unë të lagjes sime në të njëjtën orë të shkojmë të lëshojmë të njëjtin apel ndaj shqiptarëve për tu pajisur me këto karta.”

Duke iu referuar samitit të pritshëm të prillit ku Shqipëria pritet të anëtarësohet me të drejta të plota në NATO, kryeministri u shpreh se ishin reformat e thella që ndërmori qeveria, ato që krijuan besimin e partnerëve ndërkombëtar dhe afrimin e vendit me BE-në. Kreu i ekzekutivit u shpreh i bindur në fitoren e një mandati të dytë, në të cilën sipas tij do të marrë zgjidhje përfundimtare çështja e pronave dhe sfida të tjera me të cilat do të përballet vendi./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro