Tre nga dhjetë të pandehurit e çështjes “Kashari”, nuk janë paraqitur në seancën e parë të këtij procesi penal.

Në mbi gjashtë muaj hetime prokurorët kanë dorëzuar në gjykatë për shqyrtim një volum prej 5 mijë faqesh me prova ndaj ish-kryetarëve të komunës Kashar dhe bashkëpunëtorëve të tyre në vjedhje, mashtrim, korrupsion, tjetërsim pasurie dhe pastrim parash.

Vetëm një prej tyre ka dorëzuar pranë gjykatës kërkesën për gjykim të shkurtuar duke pranuar të gjitha akuzat.

Faik Fejza, ish-kryetari i komunës në periudhën 2004-2007 pret të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit që parashikojnë veprat penale për të cilat akuzohet.

Seanca e parë gjyqësore ka rezervuar dhe një surprizë për tre të pandehurit, Arlikaj, Karaj dhe Valise ku në fund të seancës njëri prej avokatëve i ka dorëzuar gjyqtarit të çështjes, Sokol Tona, një padi civile për tjetërsim prone.

Seanca është shtyrë me kërkesë të prokurorit, Armand Gurakuqi, i cili e ka parë si pengesë mungesën e tre të pandehurve dhe avokatëve në sallën e gjyqit.

Këta të pandehur u paditën në prokurori nga banorë të komunës së Kasharit ku sipas kallëzimeve mijëra hektarë tokë janë tjetërsuar nga familjarë të ish-krye komunarëve apo janë shitur për qëllime përfitimi.

Ky është i pari proces penal me një numër kaq të madh të pandehurish dhe paditësish njëkohësisht.

19 dosje me volume materiale pritet të shqyrtohen nga gjykata në ngarkim të tyre./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani