Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka thënë se çështja kryesore tani është lufta, paqja dhe armëpushimi. Në konferencën për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, Orban ka theksuar se Europa duhet të ndërtojë një arkitekturë të re sigurie.

Viktor Orban: Sa i takon tregtisë, nuk mendoj se është çështja numër 1 aktualisht, por do të jetë me rëndësi. Çështja kryesore tani është lufta, paqja, armëpushimi, financimi i kësaj gjëje dhe për pasojë të luftës se ç’lloj arkitekture sigurie evropiane do të ndërtojmë. Mos harroni që po flasim për armëpushim, pastaj për bisedime për paqen. Por rezultatet e bisedimeve për paqen nuk do të jenë thjesht rezultat për të ardhmen e Ukrainës. Natyrisht që meritojnë një të ardhme të mirë sepse kanë vuajtur shumë, por do të kenë të bëjnë dhe me arkitekturën e re të sigurisë të Europës gjithashtu.

Nëse europianët do të duan të përfshihen si duhet në procesin e negocimit dhe të ndërtimit të një arkitekturë të re të sigurisë europiane, do të jemi shumë aktivë dhe do të duhet të komunikojmë shumë me të gjitha palët në luftë. Në të kundërt, nëse e bën dikush tjetër, ne mbetemi jashtë negociatave kryesore. Kështu që mendoj se komunikimi nuk është vetëm në interes të atyre që duan paqe, por edhe të atyre që duan të jenë pjesë e riorganizimit të Europës dhe të sigurisë së saj.

/tvklan.al