Milani do të përballet me Feyenoord në Champions League të Mërkurën, në sfidën e vlefshme për fazën “play off” në Champions League.

Në prag të kësaj për përballje, për në konferencë për shtyp, foli trajneri i kuqezinjve, Sergio Conceicao, i cili deklaroi se nuk ka shumë mundësi zgjedhje për këtë takim.

Ai ndër të tjera kërkoi ekuilibër në skuadër, për të synuar kualifikimin për më tej.

“Nuk është se kemi shumë zgjidhje. Jemi 15 veta plus Camarda dhe Bartesaghi. Shkak për këtë janë dëmtimet dhe lojtarët jashtë listës. Ne trajnerët duhet të gjejmë zgjidhje.

Leao është i disponueshëm, ka qenë zgjedhja ime që të mos e fillojë me titullarët, por më pas ai hyri mirë dhe e bëri punën e tij dhe është i gatshëm. Për momentin nuk do ta them nëse do të luajë.

Luhet  me 11 lojtarë, ekuilibri arrihet me gjithë ekipin. Ibra tha që unë kam dy ekipe, por kam më shumë se dy ekipe me të gjithë sektorin e të rinjve. Duam të bëjmë mirë. Punojmë për ekuilibrin. Nuk është se të kesh shumë lojtarë sulmues të bën të shënosh më shumë gola dhe nëse ke shumë mbrojtës, nuk pëson gol. Ka shumë momente loje dhe ne kemi nevojë për këtë ekuilibër.

Unë i llogaris të gjithë lojtarët. Kam katër lojtarë që më japin shumë besim. Çdo çift që luan më jep shumë besim, ata kanë një karakter të mirë. Unë dua një linjë të lartë mbrojtëse, ata e dinë se çfarë të bëjnë dhe çfarë punojmë ne për të përmirësuar. Besimi është për të katërt”, deklaroi Conceicao.

/tvklan.al