Barcelona, qyteti bregdetar plot ngjyra, palma dhe arkitekturë të klasit botëror, magjeps për historinë e saj, ndër më të vjetrat në Evropë, për thesaret që dekorojnë rrugët e saj të skalitura nga duart e mjeshtrave të mëdhenj të artit modern, Dalì, Mirò, Picasso dhe mbi të gjitha Gaudì.
Barcelona është nga ato qytete që të rrëmben që në momentin e parë që e viziton. Kur mbërritëm në aeroport frynte shumë erë dhe nuk ishim të përgatitur për kohë kaq të ftohtë. Barcelona pret turistë gjatë gjithë vitit, por nëse ju ndodh ta vizitoni në dimër, mos u trembni prej motit. Dielli del gjithmonë papritur aty ku nuk e pret.
Hoteli ynë ndodhej në rrugën La Rambla që është më e frekuentuara në Barcelonë. Në disa raste e quajnë “Las Ramblas” dhe është një bashkim i pesë rrugëve të tjera. Duke ecur në mesin e saj rrethohesh me kurorë të formuar nga pemët e larta nga të dyja anët. Çdo degëzim të nxjerr në sheshe të vogla simpatike.
Placa “Reial” është aq i bukur sa e kanë emëruar ‘mbretërore’. Ambienti elegant theksohet nga shatërvani dhe palmat si dhe nga dritat e rrugës në anë të shatërvanit, të krijuara krijuan nga Antoni Gaudi. Ndërtesat uniforme me dekorime e ballkone ishin shtëpitë e familjeve më të rëndësishme të Barcelonës, ndërsa sot katet e para të tyre strehojnë bare e restorante të ndryshme.
Karakteristike e Las Ramblas janë tezgat e suvenireve, pikturave dhe restorante, që gëlojnë nga jeta në çdo orar. Ndër të tjera, La Rambla njihet dhe për numrin e lartë të vjedhjeve. Madje Barcelona mban numrin e parë në botë për fenomenin e vjedhjes. Policia patrullon herë pas here, por ata janë aq profesionistë sa është vështirë të gjenden, kështu që kujdes!
Një anë e bulevardit të Las Ramblas të çon direkt tek Monumenti i Kolombos dhe Port Vell ku mund të shijosh pamjen e detit Mesdhe, nga ana tjetër të çon në pikën më qendrore të Barcelonës që është Placa de Catalunya.
Barcelona njihet si qendra e Katalonjës, rajon i cili prej kohësh kërkon pavarësinë nga shteti spanjoll. Kjo histori daton ndër vite, por ka patur një rritje në dekadën e fundit. Fillimet flasin për shekullin e 19-të, ku vendi ra nën sundimin e dinastisë Bourbon dhe institucionet historike nuk punonin. Midis viteve 1850-1910 individë, organizata dhe parti politike filluan të kërkonin pavarësi të plotë të Katalonjës nga Spanja.
Katalanasit gjithmonë e kanë ndjerë veten ndryshe nga pjesa tjetër qytetarëve. Ata besojnë se rajoni i tyre ka kulturë dhe të drejta morale më të larta. Nga ana ekonomike, Barcelona dhe zonat përreth janë më të pasurat dhe domosdo kontribuojnë më shumë për anën tjetër të shtetit. Gjatë udhëtimit tonë pamë parulla të ndryshme, por protestat e mëdha filluan pikërisht ditën që u larguam ne. Këtu flitet spanjisht dhe gjuha katalanase, e cila është miksuar dhe me italishten. Asnjëherë mos bëni gabimin të pyesni një banor nëse ndjehet spanjoll apo katalanas pasi e marrin për ofendim. /tvklan.al