Qytetarët në Mal të Zi, në shenjë proteste për shkak të çmimeve gjithnjë e më të larta, bojkotuan rrjetet tregtare, supermarketet, farmacitë dhe dyqanet e artikujve të konsumit të gjerë.

Organizata joqeveritare “Alternativa e Malit të Zi”, nismëtare e bojkotit, thotë që kjo nismë do të rezultojë me rënie të madhe të shitjeve në tërë Malin e Zi.

Rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, pasi produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.

“Mos blini asgjë – thonë konsumatorët – në mënyrë që së bashku t’u dërgojmë një mesazh të fortë tregtarëve”.

Ndër të parët që e mbështetën aksionin në Mal të Zi, ishte Kryeministri Millojko Spajiç.

Ai tha se i kupton qytetarët që bojkotojnë blerjet. “Një shtet është i fuqishëm aq sa qytetarët e tij janë të lirë dhe të fuqishëm”, shkroi Spajiç në rrjetin X, ndërkohë zëvendëskryeministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, sugjeroi që bojkotimi të mos i përfshijë prodhuesit vendas.

Qeveria e Spajiçit mori vendim për ta vazhduar fushatën “çmime të kufizuara” deri në fillim të muajit Prill, kur parashikohet ngrirja e çmimeve të produkteve të caktuara, çfarë do të thotë se tregtarët nuk mund t’i rrisin ato.

Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë thotë, se: “Mesa duket, Spajiç nuk e kupton se ai është kryeministër dhe se është përgjegjësia e tij për të zgjidhur problemin e inflacionit. Këtë nuk mund ta arrini me bojkotim populist, por me politikë serioze ekonomike”.

Oda ekonomike e Malit të Zi tha se nuk përkrah asnjë lloj bojkoti, pavarësisht sektorit në të cilin punon dhe se këtë e konsideron të pajustifikuar.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave në Mal te Zi, inflacioni nga viti 2021 deri në vitin 2024 ishte 30.5%, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën deri në 41%.

Nga ana tjetër, zinxhirët tregtarë, gjykuar nga deklarimet tatimore, shënuan rritje prej 40 deri në 50% të qarkullimit në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021./DW