Qindra studentë në Serbi që kanë protestuar për ditë me radhë për tragjedinë e Novi Sadit përfunduan një marshim dy-ditor drejt këtij qyteti.
Ata u mirëpritën nga kolegët e tyre dhe mijëra banorë vendas.
Protestuesit përshëndetën çiklistët dhe shoferët që kishin bërë 80 kilometra rrugë nga Beogradi për të marrë pjesë në demonstratën kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç.
“Ne erdhëm të mbështesim kolegët tanë nga fakultetet e Novi Sadit në protestën e tyre, pasi nuk është vetëm protesta e tyre, por edhe e jona. Si vend, ne duhet të jemi të vendosur dhe t’i bëjmë thirrje autoriteteve dhe shtetit që të marrin përgjegjësi morale për tragjedinë”.
Shumë vetë në Serbi besojnë se tragjedia e Novi Sadit ku humbën jetën 15 persona u shkaktua nga korrupsioni sistemik në projektet e mëdha të infrastrukturës, veçanërisht ato që përfshijnë kompani të vendeve të treta.
Javët e protestave të udhëhequra nga studentët, më të mëdhatë në Serbi në dekada, vazhdojnë të përbëjnë një sfidë serioze për Presidentin Aleksandar Vuçiç.
Protestat detyruan dorëheqjen e Kryeministrit Millosh Vuçeviç në fillim të kësaj jave dhe bëri që autoritetet të bënin disa lëshime.
Megjithatë, studentët nuk besojnë se kërkesat e tyre janë përmbushur plotësisht. Prokurorët kanë ngritur akuza kundër 13 personave për shembjen e strehës së stacionit hekurudhor, duke përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë.
Por ish-ministri i Ndërtimit Goran Vesiç ka dalë nga paraburgimi, duke nxitur dyshimet për pavarësinë e hetimit.
Klan News