Seanca e djeshme parlamentare ishte tejet e tensionuar, pasi deputetët e opozitës u përballën me Kryeministrin Sali Berisha. Pavarësisht situatës së krijuar, ky i fundit vazhdoi fjalimin e tij me akuza mjaft të rënda kundër kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Deputetët u përfshin në debat për aferat korruptive, duke marrë shkas nga video përgjimi i ish-zv. Kryeministrit Meta. Por ky debat i tensionuar në seancën parlamentare ka ngjallur shqetësim në opinion publik.

Emisioni “Opinion” u fokusua në përplasjen dhe radikalizimin e partive politike, kryetarët e të cilave japin deklarata me tone mjaft të ashpra.  Të ftuar në studio ishin deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, si dhe analistët Fatos Lubonja dhe Artan Hoxha.  

Deputeti Bumçi u shpreh: “Në jetën politike ka momente që tensionohet, rritet temperatura ka dhe momente që jeta është më e qetë. Por gjithçka është brenda një normaliteti politik, ku palër politike në momente të caktuara mund të rrisin tensionet”.

Sipas tij, Partia Socialiste po dëmton jetën parlamentare, pasi nuk e respekton dhe po e bojkoton atë.

“Kryetari i opozitës është në Kuvend dhe jo jashtë tij. Cili kryetar opozite në të gjithë botën demokratike zgjedh të jetë jashtë Kuvendit? Kemi të bëjmë me një sjellje unike të një personi që e urren Kuvendin. Ai është përpjekur me të gjitha mënyrat ta denigrojë me sjellje aspak të hijshme. Gjithçka që të tregojë që politika nuk bëhet aty, por është jashtë, ku është zoti Rama.”, shtoi Bumçi, i cili theksoi se deputetët e PS nuk janë sjellë kurrë më parë në këtë mënyrë.

Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokristiane akuzoi Kryeministrin Berisha se është në një degradim të plotë politik, moral dhe institucional. Ndërsa përsa i përket opozitës, Ndoka u shpreh se janë të provokuar në mënyrë të tejskashme.

“Ai parlament është kthyer në modelin më të shëmtuar, ku nuk prodhohet as politikë dhe as demokraci. Degradimi i mazhorancës, afaret e pafundme, skandalet e fundit e kanë humbur busullën orientuese të kryeministrit. Ne këto skena i kemi parë në forma të ndryshme, nuk është kjo e reja e këtij realiteti”, shpjegoi Ndoka.

Analisti Lubonja tha se në këtë radikalizim, kryesori është bërë kryeminstri, çka nuk duhet të ndodhë pavarësisht gjithçkaje.

“Retorika e kryeministrit, pavarësisht britmave dhe sharjeve, i drejtohej një elektorati kryesor, që është bërthama më fanatike e më emocionale e Partisë Demokratike. Kryeministri në vend që të bëjë analizë situatën e bllokmenëve të tanishëm, kthehet në ’91 dhe merret me familjen, që një kryeministër, jo vetëm një kryeministër, por edhe një qytetar duhet ta ketë mësuar që fajësia nuk është as kolektive dhe as familjare, por individuale. Nuk mund të akuzosh ti dikë për babain, gjyshin, stërgjyshin sepse një retorikë tërësisht banale. E dyta akuzë e kryeministrit ishte lakuriqësia e Edi Ramës, që është një çështje e Edi Ramës dhe jo e deputetëve. Ka nxjerrë dhe gruan… E gjitha kishte një shije të keqe”, shtoi Lubonja.

Ndërsa analisti Hoxha u shpreh se ky nuk ka qenë rasti i parë dhe i vetëm që deputetët përfshihen fizikisht në demonstrimin e qëndrimit të tyre në sallën parlamentare, por kjo ka ndodhur gjithmonë në fundet e sezonit.

“Nëse ne do ta gjejmë arsyen e ëktij skenari të ndjeshëm te përdorimi i rëndë i fjalorit shqip, këtë situatë do ta kishim patur të shpeshtë dhe të përsëritur. Seanca e djeshme është produkt i vazhdimësisë së një tensioni permanent në Kuvend që pas zgjedhjeve të vitit 2009 në një mosshkarkim  të këtij tensioni në seancën maratonë të 23 dhe 27 Dhjetorit të vitit 2009, kur nuk u arrit qëllimi i seancës. Faktori i dytë është elementi i ndikimit të video-regjistrimeve, që ka shkaktuar një lëvizje politike në qeveri dhe një shpresë për një kauzë të re në opozitë. Unë shoh dhe elementin e taktikës në seancën parlamentare, e cila i mbivendoset këtyre dy arsyeve të tjera. Taktika ishte që zoti Berisha ka konsumuar në seancat e gjata dhe me debate të forta kohën televizive. Kjo është është perceptuar si humbje e efektit në publik nga PS, të cilët në këtë seancë ishin tepër të vendosur mos ta linin Berishën mos ta shfrytëzonte në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën efiçencë audiencën maksimale televizive të atij orari”, shpjegoi Artan Hoxha.  

Sipas deputetit Bumçi kjo është antivlerë, pasi cënohet e drejta kryesore, ajo e fjalës së lirë. Ndërsa për Ndokën, kryeministri Berisha ka bërë vetëm pazare gjatë këtyre 20 viteve./tvklan.al