Ora shënon 02:55. Është data 28 Prill, kur në rrugë shfaqet një person i veshur me të zeza e i maskuar. Nga pas mban në dorë tritolin, ndërsa afrohet me qetësi drejt shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkaj. I vetmi që lajmëron ardhjen e tij është qeni i fqinjit, i cili sapo dallon personin në fjalë leh, por duke qenë se ishin orët e vona të natës, askush nuk u alarmua. Me gjasë të gjithë ishin në gjumë.
Siç edhe shihet qartësisht në këto pamje të siguruara nga gazetari Besar Bajraktaraj, autori afrohet me hap normal drejt portës së gjyqtarit, që ndodhet në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. As nga qeni nuk trembet, e kur afrohet te porta vendos tritolin që ka në dorë. Më pas nxjerr nga xhepi diçka, me gjasë çakmak. Ulet e ndez dhe më pas largohet me vrap. Gjithçka ndodh në më pak se 2 minuta.
Qeni leh edhe kur autori largohet. Në orën 02:59 ndodh shpërthimi i fuqishëm. Nga ngjarja në fjalë, pati vetëm dëme materiale. Në momentin e shpërthimit në shtëpi ndodhej e gjitha familja e gjyqtarit 62-vjeçar.
Dyshimet e para lidhen me detyrën e Tonin Stërkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera që mund të kenë lidhje me konflikte pronësie. Vetë gjyqtari ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime që lidhen me detyrën e tij.
Për ngjarjen, me anë të një deklarate për shtyp reagoi edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Qeveria e Gjyqësorit kërkoi nga hetuesit zbardhen e ngjarjes dhe shprehu mbështetje për punën e magjistratëve. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, mësohet se zhvilloi një bisedë telefonike me gjyqtarin Stërkaj duke i siguruar marrjen e masave për sigurinë e tij.
Këtë të hënë në KLGJ u mblodh edhe Komisioni i Posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve që vendosi 6 muaj mbrojtje për të.
Zbardhje të ngjarjes kërkoi edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e konsideroi ngjarjen si intimidim (Lexo më shumë)./tvklan.al