Një person i maskuar vendosi në orët e para të kësaj të diele një sasi lënde plasëse në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër. Ngjarja u regjistrua në orën 03:13 minuta të mëngjesit, në lagjen “Tom Kola” dhe sasia plasëse u hodh te porta e oborrit të banesës së tij. Më pas siç tregojnë kamerat e sigurisë autori është larguar me shpejtësi.
Shpërthimi fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale, teksa në momentin që ndodhi në banesë ishte e gjithë familja e 62-vjeçarit. Vetë gjyqtari, i cili prej vitesh ushtron detyrën në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër në seksionin penal të saj është shprehur se nuk ka pasur kërcënime më parë dhe se në duar nuk ka çështje sensitive.
Por pavarësisht këtij qëndrimi, hetuesit i kanë përqëndruar veprimet hetimore në dy pista dhe e para është ushtrimi i detyrës, së dyti tek konflikte të mundshme pronësie. Që prej mëngjesit, grupi hetimor grumbulloi provat materiale në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar një sërë kamerash sigurie me qëllim ndjekjen e itinerarit të autorit në largim.
Për ngjarjen, me anë të një deklarate për shtyp reagoi edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Qeveria e Gjyqësorit kërkoi nga hetuesit zbardhen e ngjarjes dhe shprehu mbështetje për punën e magjistratëve. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, mësohet se zhvilloi një bisedë telefonike me gjyqtarin Sterkaj duke i siguruar marrjen e masave për sigurinë e tij, ndërkohë që të hënën në KLGJ do të mblidhet edhe Komisioni i Posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve.
Zbardhje të ngjarjes kërkoi edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e konsideroi ngjarjen si intimidim.
Tv Klan