Një shpërthim me lëndë plasëse tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm tek porta e oborrit të një banese në lagjen “Tom Kola” të qytetit të Shkodrës.

Burime për korrespondenten e Klan News, Emi Kalaja kanë bërë me dije se banesa ku është vendosur lënda plasëse i përket gjyqtarit Tonin Sterkaj. 62-vjeçari është me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Policia njofton se si pasojë e ngjarjes janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 03:13.

Nga informacionet që Kalaja ka arritur që të sigurojë nga vetë gjyqtari, nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë ka rezultuar se ka qenë vetëm një person i maskuar që është afruar tek porta, ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar. Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, në banesë kanë qenë të gjithë familjarët e 62-vjeçarit.

Dyshimet e para lidhen me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera që mund të kenë lidhje me konflikte pronësie. Vetë gjyqtari ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime që lidhen me detyrën e tij.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


Shkodër | Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


/tvklan.al