Mbi kulm të shtëpisë valëvitet flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa në oborr endet Klintoni.

Kjo pamje nuk është nga Amerika. Shtëpia gjendet në fshatin Dobratin të Podujevës, ndërsa Klintoni është fëmija më i vogël i familjes Bajgora.

Ai ka vetëm 5 vjet. I ati i tij, Hasani, është në gjendje të vdesë për Amerikën, kurse muret brenda shtëpisë së tij të vjetër i ka veshur me portretet e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton. Ka menduar shumë gjatë se si ta nderojë atë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës dhe ka gjetur një mënyrë. Ai e ka trashëguar emrin në familjen e tij.

“Ne e duam me zemër. Jo ashtu, po me zemër e dua Clintonin këtu e atëherë. Tjetër shpërblim nuk mujtëm me i ndihmu atij, tash ma fal Zoti ndonjë djalë. Unë emrin e tij kam me i përtëri.”

Clintoni është mbase presidenti më i dashur nga shqiptarët. Atë familja Bajgora e sheh si shpëtimtar duke e renditur pas Zotit.

“Shpirti i tij, emri i tij edhe ushtria e tij neve na ka shpëtuar”.

Klintoni nuk do të flasë, por prindërit ia kanë treguar historinë e emrit të tij. Hasani shpreson se një ditë do t’i bëjë bashkë dy Klintonët të paktën për një çast, por ka edhe shqiptarë të tjerë të Kosovës që dashurinë e tyre e kanë kthyer në vepër.

Miloti po i jepte të mërkurën dorën e fundit skulpturës gjigante të Bill Clintonit, e cila në ditëlindjen e amerikanit me 19 Gusht do të vendoset në sheshin me të njëjtin emër në Prishtinë.

Miloti e ka ndihmuar babain e tij gjatë punimit të kësaj skulpture dhe ka biseduar shpesh me portretin e mikut të shqiptarëve.

“Normal, kur kam punu gjithmonë kam bërë muhabet me të, i kam thënë na kë shpëtuar me mijëra herë edhe i kam falënderuar krejt popullit amerikan.”

Për Milotin kjo është vepra që ka bërë më me zemër. Edhe pak ditë kjo skulpturë do të gjendet në këtë vend ku vite të tëra Clinton përshëndet ata që hyjnë në kryeqytet.

Në shenjë respekti për Uashingtonin dhe për presidentët amerikanë autoritetet kosovare kanë vendosur së fundmi edhe për pagëzimin e një rruge ne kryeqytet me emrin e ish presidentit, Xhorxh Bush.

“Ndihma e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, sidomos gjatë kohës së luftës, kanë bërë që shqiptarët të lidhen shumë me SHBA dhe me liderët e këtij vendi. Emrat e tyre ndodhen kudo, madje dhe në ato vende ku nuk do të pëlqeheshin edhe aq”./tvklan.al