Anton Pali është një shkodran që e ka lënë Shqipërinë në vitin 1999 kur ishe vetëm 14  vjeç dhe sot jeton në Belo Horizonte, Brazil.  Në rrëfimin e tij për rubrikën “Shqiptarë në botë” nga emisioni “Opinion” në Tv Klan, ai tregon se bashkë me vëllain 18-vjeçar dhe kushëririn 17-vjeçar u larguan nga Vlora me gomone drejt Italisë.

Atje i pritën të afërmit dhe Antoni menjëherë nisi punë si murator.  Në Itali jetoi për 14 vite derisa dashuria e thirri për t’u bashkuar me Valerian, një histori dashurie tejet e veçantë.

Blendi Fevziu: Si u zhvendose në Belo Horizonte?

Anton Pali: Aty fillon historia.

Blendi Fevziu: Po  pra, historinë fillo ti.

Anton Pali: Kjo zonja, zonja Valeria.

Blendi Fevziu: Po ku e gjete Valerian?

Anton Pali: Çdo natë në Facebook, online në 3-4. Unë nuk e dija problemit e orarit. Thashë ç’është kjo që rri në internet më shumë se unë se po më sfidon mua?

Blendi Fevziu: Po ti ç’punë kishe të hyje në Facebook-un e Brazilit?

Anton Pali: Unë as nuk e dija që kjo jetonte në Brazil. Fillova e pyeta,  ç’kemi, si ia kalove?

Blendi Fevziu: Po çfarë gjuhe folët, anglisht?

Anton Pali: Anglisht. Filluam të flisnim, kjo nuk dinte italisht. Kjo më tha “sa mirë që je nga Italia se kam nevojë për disa informacione, a m’i kalon?” Po moj i thashë, çfarë ke nevojë. Tha “kam qejf të shkoj,  Dua të bëj turizëm në Itali, çfarë më këshillon?” I dhashë ca këshilla.

Blendi Fevziu: U bëre agjent privat turistik me këtë rast, ndërtove axhendën turistike.

Anton Pali: Si përfundim, zumë shoqëri, u krijua një shoqëri shumë e sinqertë dhe shumë e pastër vetëm për faktin që ishim larg njëri-tjetrit, as nuk i prishnim, as nuk i rregullonim punë njëri-tjetrit. Në atë unë periudhë pata disa probleme dhe kjo u bë e besuara ime. U shtua shoqëria, duke u bërë një respekt më i madh.

Blendi Fevziu: Mos më thuaj që ke marrë gomone për të shkuar në Belo Horizonte?

Anton Pali: Gati.

Blendi Fevziu: Si u nise pastaj për Belo Horizonte?

Anton Pali: Epo do ta dish prej vërteti ti?

Blendi Fevziu: Po.

Anton Pali: Do bëjmë një program komplet për këtë historinë?

Blendi Fevziu: Jepi tani, tregoje.

Anton Pali: Shkurt hesapi, po i shkurtoj pak. U njohëm, në atë periudhë  familja ishte shumë kundër se më shihte duke bërë muhabet me një grua që nuk e njoh personalisht.

Blendi Fevziu: Po, familja do  të të kishte gjetur ndonjë gocë në Shkodër, t’i kishte bërë gati gjërat.

Anton Pali: Do arrijmë edhe aty. Si përfundim, zumë shoqëri. Erdhi një periudhë kohe, unë u ktheva e jetova në Shqipëri një periudhë të shkurtër. Aty familja sikur erdhi e thoshte për t’u zhvilluar në jetë e për të krijuar, fejohu, martohu. Të them të drejtën isha i dashuruar pas kësaj por nuk njiheshim personalisht dhe nuk e dija funksionon a s’funksionon.

Blendi Fevziu: Ishe në dashuri platonike,  kishe rënë në distancë.

Anton Pali: Po.

Blendi Fevziu: 10 mijë kilometra në mes.

Anton Pali: Po. Në mars, kjo erdhi në Itali për pushime dhe unë u ktheva në Itali. I bëmë pushimet bashkë, shkuam 4-5 ditë në Romë, pastaj bëmë një xhiro me Vespa, e shëtita gjithkund nëpër Romë,  pastaj morëm makinën shkuam në Paris,  kemi ndenjur nja 4 ditë në Paris duke shëtitur poshtë e përjetë krejt romantike gjëja, e si përfundim, kur u kthye kjo në Brazil, unë mbeta i trishtuar.

Blendi Fevziu: Ti qyqar komplet në momentin që mbete vetëm.

Anton Pali: Unë duke qarë atje, kjo duke qarë ëkëtu.

Blendi Fevziu: Dhe more avionin ti.

Anton Pali: Dhe vendosa të vija në Brazil, por familja e kuptoi dhe më fshehu pasaportën.

Blendi Fevziu: Si ia bëre? Nxore pasaportë të re?

Anton Pali: Si përfundim, hajde se po ikim të gjithë në Shqipëri. Thashë s’kam si lëviz, s’kam pasaportë, gjejnë pasaportën.

Blendi Fevziu: E more ti dhe…

Anton Pali: E mora pasaportën shkuam në Shqipëri. Sa mbërritëm në Shqipëri më fshehën pasaportën prapë. Thashë epo kjo pasaporta ime më shumë qëndroka e humbur. Shkova nxora pasaportë tjetër megjithëse ata e  kishin kuptuar dhe nuk donin se prindërit mundoheshin të mos më lejonin të ikja.

Blendi Fevziu: Sa vjet ke në Belo Horizonte?

Anton Pali: 11 vjet.

Blendi Fevziu: Prindërit e pëlqejnë Valerian tani?

Anton Pali: Shumë.

Pas dy vitesh në Brazil, Antonio dhe Valeria u bënë prindër të një vajze. Ai tregon se ka hapur një kompani që prodhon tapiceri makinash klasike. Sa i përket komunitetit shqiptar, Antoni thotë se ka takuar vetëm 4 shqiptarë të Kosovës. Ndërkohë Valeria është e dashuruar me Shqipërinë dhe ka diçka shumë të preferuar nga vendlindja e bashkëshortit.

Blendi Fevziu: Çfarë i pëlqen më shumë në Shqipëri?

Valeria: Ksamili. /tvklan.al