Ndërkombëtarët vijojnë të kritikojnë sulmet e lëshuara nga politika kundër Prokurorisë së Posaçme dhe Reformës në Drejtësi. I ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner në një intervistë për Zërin e Amerikës i cilëson si shqetësuese sulmet e ish-Presidentit Ilir Meta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Është shqetësuese të shohësh ato lloj sulmesh që kemi parë. Nuk kanë vend këtu dhe, ç’është më e rëndësishme, shqiptarët nuk e duan këtë. Shqiptarët duan që udhëheqësit e tyre publikë të punojnë për interesat e tyre për ta bërë të nesërmen më të mirë. Dhe mund t’ju them që pikërisht këtë synon të bëjë ambasada e SHBA dhe Qeveria e SHBA përkrah tyre.”
Diplomati amerikan duke iu referuar Reformës në Drejtësi tha se shqiptarët duhet të ndihen me të drejtë krenarë për faktin që institucionet e pavarura të drejtësisë sot kanë ndërmarrë veprime kundër politikanëve të lartë të dyshuar për korrupsion, si dhe kanë ndërmarrë veprime kundër figurave të krimit të organizuar.
“Nëse kam parë një gjë në tetë muajt e kaluar, qoftë në veri të Shqipërisë, në jug të Shqipërisë, lindje, perëndim, ajo që vërtet i bashkon shqiptarët është se duan të shohin drejtësi. Kjo është boll e qartë për këdo, për shqiptarët e të gjitha krahëve, dhe mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë zyrtarët publikë të Shqipërisë ta mbajnë mirë parasysh këtë.”
Wisner ka vlerësuar shtensionimin e situatës në Parlament, ndërsa për vendimin për ngritjen e komisonit të posaçëm parlamentar për disinformimin tha se çdo përpjekje e tillë duhet të marrë parasysh dhe të respektojë normat e lirisë së fjalës, lirisë së medias.
Tv Klan