Gianni de Biasi e ka në zemër Shqipërinë! Për gjashtë vite ai ka pasur detyrën e trajnerit dhe nën drejtimin e tij, kuqezinjtë u kualifikuan për herë të parë në një kampionat europian.
Trajneri italian do të jetë në tribunë në “Iduna Park” I ftuar nga presidenti I FSHF Armand Duka. Në një intervistë për italianen “La Repubblica”, 67 vjeçari e pranon se Shqipëria atij i ndryshoi jetën, por ai në derbin e Mesdheut do të bëjë tifo për ekipin e Spaletit.
Italiani thekson se Shqipëria ka bërë shumë përparime që nga koha kur ai mori drejtimin.
“Tani kanë një kombëtare mjaft konkurruese. Shqipëria nuk është më një surprizë dhe mua më ngelet krenaria që kam qenë nismëtar i kësaj rritjeje të gjatë!”
67 vjeçari këshillon trajnerin Luciano Spalletti-n dhe “të kaltrit” që të mos ta marrin lehtë këtë takim.
“Eshtë një ndeshje për t’u përballur me vëmendjen maksimale nga kombëtarja. Debutimet janë të vështirë dhe ne kemi shumë për të humbur, ndërsa kundërshtarët tanë do të jenë shumë të motivuar. Për Shqipërinë të jetë këtu është një festë e do të përballen edhe në sfidat e radhës ndaj Kroacisë dhe Spanjës. Kujdes nga surprizat! ‘Shqiponjat’ nuk do të jenë ekipi më i lehtë i grupit.”
Përballja e kuqezinjve në “Iduna Park” në mbrëmjen e së shtunës, si edhe takimet e tjera të Euro 2024 do të transmetohen ekskluzivisht në televizionin Klan.
Klan News