Zgjedhjet e 28 Qershorit kanë qenë temë debati mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak te Tiranës.

Kryetari i grupit të Këshilltarëve Demokrate, Ferdinand Poni kërkoi largimin e Edi Ramës, si nga kryetar i Partisë Socialiste ashtu dhe nga kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e akuzuar se ka shpërdoruar asetet e bashkisë.

Ferdinand Poni: “Këto zgjedhje kanë një fitues absolut. Është Shqipëria evropiane. Të gjithë ata që u dhimbset Shqipëria duke përfshirë dhe socialistët duhet të përfitojnë nga qeveria e integrimit dhe Shqipërisë evropiane që koalicioni i Evropës PD-LSI do ta realizojë më së miri. Edi Rama duhet të pranojë verdiktin e qytetarëve shqiptarë të largohet nga vendi i kryetarit të Partisë Socialiste, të kryejë veprimin formal të largimit nga vendi i kryetarit të bashkisë.”

Në kundërpërgjigje, këshilltaret socialiste akuzuan qeverinë për manipulime me listat e zgjedhësve, duke i cilësuar zgjedhjet një proces të deformuar.

Besnik Baraj: “Ato lista që thotë janë të shkëlqyera edhe ne qytetin e Tiranës gjejmë dublime pa folur pastaj këtu për kartat e identitetit. Ju nuk jeni fitues dhe nuk e meritoni që të drejtoni këtë vend.”

Por pas këtij debati, këshilli bashkiak vijoi normalisht punën me rendin e ditës, duke miratuar te gjitha projekt-vendimet, si ai për ndryshimet në nivelin e pagave të punonjësve të bashkisë e njësive bashkiake, rishpërndarjen e fondeve të bashkisë për vitin 2009 apo përfundimin e procedurave të privatizimit të banesave./tvklan.al