Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska është larguar sot nga një mbledhje me dyer të mbyllura në komisionin kuvendor për Rendin dhe SHISH-in. Shkak kanë qenë sulmet dhe akuzat e deputetit Shaban Memia, i cili ka cilësuar përjashtimin nga policia, si klanore dhe politike.

Shaban Memia:- “Kjo nuk krijon mundësi reale për ta ndarë shtetin nga krimi, për të spastruar Ministrinë e Rendit nga të inkriminuarit, por është në vazhdën e rënies së një klani, e ngritjes së një klani dhe ky është një shqetësim shumë serioz, së dyti, zoti Toska ka bërë një sërë pushimesh në periudhën kur ka qenë zv/ministër, të gjitha këto janë lëvizje, anti-ligjore dhe anti-kushtetuese”.

Por me gjithë deklarimet e Memisë, Toska ka reaguar, duke shprehur se jo vetëm do të vijojë me përjashtime, por ka një plan-reforme, që do të zbatohet brenda 2004.

Igli Toska:- “Dua të theksojë që kjo nuk është një fushatë apo gjueti shtrigash, por është një angazhim institucional, për të vendosur rendin, brenda Ministrisë së Rendit dhe pastaj për të vendosur rendin dhe sigurinë publike në vend. E theksojë që Ministria e Rendit ka një strategji, të detajuar ku përcakton mënyrat dhe taktikat, që brenda vitit 2004, ne të arrijmë ato prioritete dhe objektiva që kemi shpallur publikisht”.

Ndërkohë kryetari i komisionit për Rendin dhe SHISH Neritan Ceka, ka deklaruar se komisioni parlamentar do të tregohet i kujdesshëm dhe do të hetojë disa struktura të policisë së shtetit.

Neritan Ceka:- “Ndërkohë, komisioni do të bëjë kontrolle në Ministrinë e Rendit, veçanërisht në degët e policisë kriminale dhe policisë kufitare, për të krijuar dhe një imazh më të plotë punën që po bëhet në policinë e shtetit”./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj