Vladimir Lame: “Ka ndodhur gjithçka në harkun e 5 orëve këtu në selinë e Parlamentit Europian në Strasburg. Europa do të flasë sërish në 5 vitet në vijim me zërin e 53-vjeçarit Portugez Jose Manuel Barroso. Por një vendimmarrje e tillë është pasuar më pas nga një debat në Parlamentin Europian me pjesëmarrjen e komisionerit për drejtësi Zhak Barrot dhe të europarlamentarëve në lidhje me procesin e heqjes së vizave për vendet e Ballkanit. Komisionerit për drejtësi, Zhak Barrot, ka theksuar se do të dëshirohen që në këtë proces të përfshiheshin edhe vende si Shqipëria dhe Bosnja. Por këto vende nuk kanë arritur në kohën që realizojnë kriteret teknike. Zhak Barrot, është përballur me kërkesat e eurodeputetëve të cilët morën fjalën dhe kërkuan që këto vende të përfshihen në bazë të një vendimi politik të marrë nga BE për të dhënë mundësinë që qytetarët e vendeve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës, ashtu si ato të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë të hyjnë lirisht në kufijtë e BE-së duke filluar nga janari i vitit 2010. Po me gjuhë diplomatike Barrot ka theksuar se këta njerëz nuk janë të harruar, dera është e hapur me ta. Ne nuk po i diskriminojmë shqiptarët dhe boshnjakët theksoi Barro, si europian kemi rregulla dhe vlera për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë. Pritet që në muajin tetor KE ti paraqiten të dhëna konkrete për realizimin e kritereve teknike, për heqjen e vizave nga Shqipëria dhe Bosnja që të mund të arrihet që deri në mesin e vitit 2010 edhe për qytetarët e këtyre vendeve të hiqen vizat për të lëvizur lirisht në BE.”
Raporton nga Strasburgu për TV Klan, Vladimir Lame./tvklan.al