Partitë politike nuk do të ftohen në asnjë rast të japin mendim për emra konkret kandidatësh për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Manjola Bejleri, një prej 9 emrave të përzgjedhur nga Presidenti i Republikës në grupin konsultativ, thotë se në seancën me grupet kuvendore do të flitet vetëm për kritere.

Manjola Bejleri: “Do të shkëmbejmë mendime dhe sugjerime dhe opinione lidhur me standardet, lidhur me kriteret që duhet të plotësojnë kandidaturat për në Gjykatën e Lartë. Nuk do të vendosim dhe nuk do të përcaktojmë emra. Thashë dhe njëherë kjo është kompetencë vetëm e Presidentit të Republikës në bazë të kushtetutës. Ne si grup pune mendoj se nuk kemi të bëjmë me debatin politik, apo nxehjes së këtij debati e të tjera. Ne besojmë se do ta ndihmojmë këtë debat politik me kriteret që do të përzgjedhim për kandidatët e Gjykatës së Lartë”.

Të paktën 61 emra janë paraqitur deri tani si kandidat të mundshëm për Gjykatën e Lartë, një proces që është parashikuar të mbyllet deri ditën e martë që vjen. Burime të presidencës bëjnë të ditur se mund të ofrohen si kandidatë të gjithë emrat e paraqitur që në konkurrimin e parë përveç 5 emrave të rrëzuar nga Kuvendi.

Por sipas juristit të njohur Genti Ibrahimi. Pamundësia e kandidatëve të rrëzuar për të rikonkuruar vihet në pikëpyetje, në kushtet kur mazhoranca ka bërë të ditur se nuk ka votuar emrat por principin.

Genti Ibrahimi: “Një pyetje që mund të shtrohet është nëse mund të jenë po këto kandidatura për sa kohë që formalisht parlamenti arsyetojë se po i rrëzonte kandidaturat për shkak të mungesës së konsultimeve dhe jo për shkak të cilësive individuale të kandidatëve. Teorikisht është e mundur që Presidentit të kryej një proces konsultimesh dhe të arrij në po ato përfundime që po këta të 5 janë kandidatët më të mirë të mundshëm, megjithatë unë besoj se kjo është politikisht e pamundur, sepse në këto nivele konsiderata politike dhe atë juridike ngërthehen me njëra-tjetrën”.

90 ditë Grupi i Punës do të përcaktojë qartë standardet për përzgjedhje e kandidaturave. Kriteri më i fortë që buron dhe nga ligji për Gjykatën e Lartë, është se kandidati duhet të ketë punuar të paktën 10 vite gjyqtarë, apo 15 vite si jurist i shquar. Pas këtij momenti presidentit do të përzgjedh emrat për të cilët më pas do të kërkojë dhe pëlqimin e Kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi