Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Tryeza e fundit e opozitës për çështjen e pronave ka hapur një debat të madh nëse forcat e djathta opozitare janë në favor të abrogimit të ligjit 7501, në kuptimin e marrjes së tokës fshatare dhe kthimit të saj tek pronari i ligjshëm. Të paktën kështu është interpretuar deklarata e përbashkët e partive opozitare, që përkrahu projektligjin e paraqitur në parlament, nga deputetët republikanë.
Njëri prej tyre Fatmir Mediu, duke i quajtur të gjitha këto spekulime, ka sqaruar thelbin e këtij projekti dhe ndryshimin e tij nga varianti i propozuar prej qeverisë.
Fatmir Mediu:- “Ne jemi të bindur, që sipas ligjit që kemi paraqitur, toka duhet të shkojë tek i zoti, t’i njihet plotësisht, të kthehet atje ku është e lirë, ku s’është e lirë të kenë konsideratë sipas rregullimeve të mundshme, trojet e zëna, të kompensohen në vlerën e tyre financiare sipas vlerës së tregut. Rrathët koncentrik që pretendon Nano etj, do të thotë që pronarët e ligjshëm të marrin nëpër periferi ose në male, atje ku toka s’është e vlefshme dhe ata të paligjshmit të rrinë atje ku janë”.
Deklarata e partive opozitare e interpretuar si një qëndrim i ri edhe nga ana e Partisë Demokratike, u bë në të njëjtën ditë, që kreu i demokratëve Berisha po sqaronte në aktivin e Vlorës, pozicionin e opozitës për çështjen e pronave, duke pohuar se PD ishte për rishqyrtimin e ligjit 7501 për tokat dhe jo për abrogimin e tij.
Sali Berisha:- “Rikthim i plotë i saj, në të gjitha rastet ku është e mundur, kompensim i plotë me vlerë tregu, aty ku kjo e fundit është e pamundur. Ky ka qenë dhe mbetet projekti ynë”./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço