Dëbora e rënë gjatë mbrëmjes së shkuar në juglindje të vendit ka sjellë bllokimin e disa komunave dhe ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.

Rruga kombëtare lidh Korçën me Kapshticën është e hapur, por në segmente të veçanta qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë.

Po kështu, të hapura janë edhe akset Korçë-Pogradec dhe Korçë-Ersekë. Ndërsa në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe Qafën e Qarrit, është i detyruar përdorimi i zinxhirëve për shkak të trashësisë së dëborës, që ka arritur në mbi 30 centimetra.

Po kështu, me zinxhirë bëhet qarkullimi edhe në rrugët Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë, ku trashësia e dëborës është mbi 40 centimetra.

Kreshnik Zgjani: “Ne kemi ndërhyrë më shuam në zonën e Qarrit në Kapshticë, në Qafë Thanë, në Plloçë dhe në Grabovicë. Këto janë qafat më të rrezikshme, që paraqesin dhe më shumë probleme për qarkullimin sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe të natës.”

Reshjet e dendura të dëborës kanë lënë të izoluara disa komuna të thella malore në rrethin e Korçës si Lekasi, Vithkuqi si dhe komunën e Trebinjës në rrethin e Pogradecit, ku ndërhyrja e mjeteve borëpastruese është e pamundur për shkak të terrenit të thyer.

Në rrethin e Përmetit, dëbora që ka arritur në 60 centimetra, ka bllokuar vetëm komunën Frashër.

Përsa i përket pjesës tjetër të vendit, reshjet e dëborës janë ndaluar dhe nuk ka probleme në lëvizjen e makinave./tvklan.al