Instagram ka fshirë një seri postimesh nga arkivat e seksionit “Stories” të përdoruesve për shkak të një problemi teknik.

Kompania i ka informuar përdoruesit për problemin përmes një njoftimi. “Për shkak të një problemi teknik, ky ‘story’ nuk është më i disponueshëm. Ne e kemi zgjidhur problemin, por ‘story’ juaj nuk mund të rikthehet”, shkruhet në të.

Meta nuk e ka qartësuar numrin e saktë të përdoruesve të prekur nga ky defekt. Megjithatë, është konfirmuar se vetëm ata që janë prekur prej tij kanë marrë njoftimin.

Ne gjetëm dhe rregulluam një problem që shkakoi fshirjen e ‘highlights’ dhe arkivave Story të disa përdoruesve. Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i rikthejmë këto Sotyr dhe po i informojmë njerëzit përmes aplikacionit në rast se janë prekur”, tha një zëdhënës i Meta.

Instagram nuk i ruan postimet ‘story’ në galerinë e fotove nëse opsioni nuk është i aktivizuar. Ato ngarkohen automatikisht në Story Archives.

Shumë përdorues e përdorin si një ditar fotosh ku ruajnë gjithçka. Ky incident vuri në dukje se është e rëndësishme që përdoruesit të ruajnë fotot, videot dhe gjithçka tjetër përmes një alternative tjetër./tvklan.al