Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ndërtimet me ose pa leje në territoret universitare, që sipas ligjit i përkasin fakulteteve, janë bërë një nga shqetësimet kryesore për drejtuesit e tyre. I pari që e ka bërë publik këtë çështje dhe ka kërkuar ndihmën e parlamentit dhe kryeministrit është dekani i fakultetit Ekonomik Dhori Kule.
Sipas zotit Kule, kjo është një nga ndërtesat që po ngrihet në oborrin e këtij fakulteti dhe për shkak të saj, një nga fakultetet me numrin më të madh të studentëve në vend, nuk mund të investojë për modernizimin e fakultetit.
Dhori Kule:- “Nuk realizojmë dot programin e investimeve të vitit 2003, që për 4 mujorin e parë ka të parashikuar 8 milion lekë investime për rregullimin e territorit, sepse veç ndërtimeve që janë pa leje në këtë territor dhe ju informojë që policia ndërtimore i ka dërguar shkresat përkatëse për prishjen e tyre. Kemi një situatë anormale, në lidhje me një ndërtim që do të bëhet në bazë të një leje që konsiderojmë të paligjshme, në krah të fakultetit të Ekonomisë”.
Me këtë shqetësim të zotit Kule janë bashkuar dhe deputetë demokratë të komisionit të arsimit, të cilit i kanë kërkuar kryeministrit, si kryetar i KRRTRSH, të anulojë lejet e ndërtimit brenda territoreve universitare.
Bardhyl Londo:- “Mua më duket, se rasti është flagrant për fakultetin Ekonomik. Territori i Fakultetit Ekonomik ka kohë që është pushtuar nga ndërtime të paligjshme dhe të dyshimta dhe është e çuditshme se si akoma nuk ndërhyet”.
Për godinën që po ngrihet në krah të fakultetit Ekonomik, drejtuesit e tij janë në gjyq, por ata janë skeptik që me zvarritjen e çështjes, ndërtesa do të ketë përfunduar dhe fondet e investimeve për kushtet e mësimit të studentëve do të digjen./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço