Veç banorëve të bregdetit Himarës edhe banorët malësisë së Shkodrës prej 30 vitesh nuk kanë mundur të pajisen me certifikatat e pronësisë.
Në Theth ku proces ka nisur dhe 200 përfituesve të parë ua ka dorëzuar tapitë kryeministri. Mes përfituesve ishte dhe vetë kisha shekullore e këtij fshati turistik.
“Partitë shkojnë e vijnë përveç kësaj tonës, kurse kisha është edhe mbi tonën edhe mbi të gjitha ndërtesat e tjera kështu që padër, ja ku janë edhe titujt e provincës françeskiane”, tha Rama.
Në këtë zonë problematikat janë të kategorizuara sa i takon shtëpive që janë në proces legalizimi që lidhen dhe me ndërtimet e bera në mungesë të legjislacionit. Por që Rama premton zgjidhje të shpejtë.
“Është problematika e ndërtimit në pronën e tyre por përtej afatit të lejuar nga ligji. Do të gjejmë një zgjidhje”, tha Rama.
Një premtim tjetër është ai për faljen e gjobave për ata që në Theth kanë ndërtuar pa leje, por për shkak se ligji mungonte.
“Qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba”, tha kryeministri.
Po ashtu kryeministri premton lehtësira fiskale për të gjithë ata që do të investojnë në bujtina, ndaj ju kërkon të rinjve të larguar të rikthehen për të shfrytëzuar mundësitë që të ofron kjo zonë.
“Ju do të paguani TVSH 20% në restorante etj. Nëse certifikoheni si agroturizëm i bie që të paguani një TVSH 6%. Tatimfitimin e keni vetvetiu, për sa kohë jeni biznes i vogël, e keni zero. Duam t’ju heqim çdo taksë për lejet e ndërtimit. Do t’ju heqim çdo lloj burokracie”, tha Rama.
Por nga sot e mbrapa banorët e këtij destinacioni shumë të pëlqyer nga turistët e huaj nuk do mund të ndryshojnë dot as ngjyrën e çative të tyre. Në këtë zonë sapo ka përfunduar një investim prej 1.5 milion Euro për transformimin e infrastruturës së fshatit si dhe fasadës së shtëpive ndërkohë që Bashkia e Shkodrës me mbështetjen e qeverisë ka gati projektin dhe për fazën tjetër që e prezantuan këtë të dielë.
“Se çdo gjë që preket rreth e rrotull gabim ia ul fuqinë e motorit të ekonomisë që është i juaji privatisht”, tha Rama.
Tv Klan