Sali Berisha: “Unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita, kur ne duhet të dorëzohemi, s’duhet të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, se nuk na mbetet rrugë tjetër.”

Deklaratat e kryeministrit për zëvendësimin e  monedhës vendase me euron kanë hapur një debat mes ekspertëve vendas të ekonomisë. Ardian Civici, teksa rreshton disa nga avantazhet e futjes së euros si monedhë kombëtare, thekson se ky proces është vetëm çështje kohe.

Ardian Civici: “Ne jemi nisur drejt Evropës, drejt BE-së dhe do vijë natyrshëm dhe futja e euros si monedhë kombëtare. Por eurozimi i ekonomisë shqiptare që dalëngadalë po ndodh realisht unë nuk besoj se përkthehet në mënyre imediate  me zëvendësimin e lekut me euro. Natyrisht që zëvendësimi i lekut me euron ka shumë avantazhe, avantazhe që vijnë që nga eliminimi i riskut të kursit të këmbimit  nga eliminimi i disa pagesave ose mbi pagesave tepërta ata që vijnë nga ndryshimi i dy monedhave. Aq më tepër për faktin që mbi 75% e tregtisë tonë zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian.”

Për ish-ministrin e Financave Arben Malaj deklaratat e kryeministrit duken të parakohshme dhe se për tu mbrojtur nga luhatshmëria e kursit të këmbimit nevojiten masa të tjera nga qeveria.

Arben Malaj: “Deklarata e kryeministrit  është e parakohshme. Pasi Shqipëria duke mos qenë vend jo thjesht i Bashkimit Evropian, por edhe vend i Eurozonës ku janë vetëm 16 nga 27 vendet e BE-së , nuk mund të aplikojë euron si monedhë kombëtare. Është tjetër gjë të kërkosh që të eliminosh luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit, rrezik që ka qenë prezent në ekonominë shqiptare dhe është tjetër gjë të aplikosh euron si monedhë kombëtare.”

Por cilat do të ishin disa nga disavantazhet e përqafimit të euros si monedhë kombëtare?

Ardian Civici: “Futja e menjëhershme e euros të heq mundësinë e bërjes një politike monetare. Për momentin euro është një monedhë e fortë dhe ti mund të përfitosh, por në rast se euroja mund të ketë probleme këtu transmetohen shumë probleme tjera të Bashkimit Evropian dhe duke pasur parasysh eksperiencën e vendeve si Greqia apo edhe si Italia, Portugalia apo vende të tjera. Futja e menjëhershme e euros ka shkaktuar dhe një rritje çmimesh, por është dhe shembulli i Malit të Zi  apo i vendeve të tjera të cilat e adoptuan euron në mënyrë të njëanshme dhe ndoshta kaluan një fazë të vështirë axhustimi, por tani po përfitojnë prej euros.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro