Ardian Fullani: “Ndikimi direkt mbi vendet në zhvillim, ku bën pjesë dhe Shqipëria, është rënia e kërkesës për eksportet e tyre, rënia e investimeve të huaja dhe shtrëngimi i kushteve të huamarrjes në tregjet botërore. Në këtë ambient të pafavorshëm, ekonomia shqiptare ka regjistruar një ecuri krahasimisht pozitive.”

Kjo deklaratë lexohet nga ekspertët e ekonomisë në mënyra të ndryshme. Zef Preçi e konsideron optimiste analizën e fundit të Bankës së Shqipërisë ku flitet për një rritje ekonomike pozitive në kushtet e një krize globale.

Zef Preçi: “Këtë deklarim e shoh si një konfirmim të faktit që Shqipëria nuk ka pësuar rënie ekonomike, pra rritje ekonomike negative. Natyrisht rritja ekonomike e pritshme do te jetë modeste, por gjithsesi është pozitive. Pra jemi në anën optimiste të zhvillimeve të pritshme. Kjo tregon që është tensionuar situata pas përfundimit zyrtarisht të zgjedhjeve, gjë që do të thotë ekonomia do të fillojë të ringrihet, pra e shikoj në sensin optimist.”

Ndërsa për ekspertin e Institutit Agjenda, Gjergj Filipi, fjala e guvernatorit konfirmon shkallën e prekjes së Shqipërisë nga kriza ekonomike, ndërkohë që dhe e ardhmja është po aq e turbullt nëse qeveria nuk do të shohë me kujdes të ardhurat dhe shpenzimet.

Gjergj Filipi: “Deklarata e guvernatorit nuk mund të jetë optimiste. I është dashur guvernatorit kësaj radhe që të bëjë zërin e tretë të munguar tani më më largimin e FMN-s nga Shqipëria. I është dashur të bëjë një deklaratë të tillë edhe në kontekstin e zhurmës që po bëhet për normat e rritjes ekonomike të Shqipërisë për vitin 2009. Janë disa sinjale të ndezura dje gjatë fjalës së guvernatorit. I pari lidhet me përmirësimin e llogarisë korente.”

Ndër shqetësimet e guvernatorit Fullani ishte edhe ecuria negative e të ardhurave nga emigrantët, 8%  më e ulët gjatë muajve të parë të vitit krahasuar me një vit më parë, çka reflektohet te kursi i këmbimit. Për Filipin leku do të vijojë të humbë terren gjatë muajve në vijim.

Gjergj Filipi: “Pika më e ulët e mundshme e këtij kursi  të euros karshi lekut duhet të ishte ky moment tani kur kemi prurjet e emigrantëve dhe të turistëve. Praktikisht në verën e vjetshme ramë nën 120, sivjet nuk kemi shkuar nën 127, gjë që tregon që vjeshta pret të rrisë kursin e këmbimit ose të zhvlerësojë më tej lekun.”

Për tu mbrojtur nga luhatshmëria e kursit të këmbimit Preçi hedh mendimin e zëvendësimit të monedhës shqiptare me atë evropiane.

Zef Preçi: “Mendoj që janë pjekur kushtet që në mënyrë të njëanshme Shqipëria të zëvendësojë monedhën e saj kombëtare me euron. Në këtë mënyrë i bëhet një mbrojtjes edhe de juros, se de faktos ekziston dhe nuk do të ndodhte edhe siç ndodhi që zhvlerësimi 8 apo 10% i monedhës kombëtare të mbartet i gjithi mbi ekonominë tonë kombëtare dhe mbi klientët e bankave.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro