Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin qeverinë dhe popullin shqiptar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Misioni amerikan në OSBE, përmes një deklarate, thekson se qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje, dhe se qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor e të rregullt të zgjedhjeve. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar, theksohet në këtë deklaratë.
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së e demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave pas zgjedhore, vijon me tej deklarata e misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE.
Deklarata nënvizon faktin se qeveria shqiptare ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira e të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor.
Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu deklarata vlerëson përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë.
Deklarata e këtij misioni vë në dukje problemet dhe rekomandimet e raportit të OSBE-së për përmirësime të mëtejshme, si ato që minuan besimin e publikut në procesin zgjedhor përmes politizimit të aspekteve teknike të procesit.
Por nga ana tjetër, misioni amerikan përkrah sugjerimet e OSB-së se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë në angazhimet e të gjitha partive politike për të respektuar germë për germë ligjin.
Duke shprehur besimin se qeveria dhe populli shqiptar do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në raportin e tij përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj e për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike, misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndet OSBE-ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare për atë që e cilëson si një mision tjetër vëzhgimi zgjedhjesh të mirë menaxhuara./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi