Incidente tërësisht të izoluara. Kështu i ka cilësuar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, ngjarjet që ndodhën mesnatën e së premtes në veriun e Mitrovicës e ku në dy incidente të ndara gjashtë persona u plagosën.

Zenun Pajaziti: “Në përgjithësi tani për tani mund të themi se këto incidente kanë qenë krejtësisht të izoluara. Të izoluara dhe në raport me krejt zhvillime të tjera, por edhe të izoluara njëra me tjetrën. Ne kemi marrë masat e nevojshme dhe jemi të sigurt që nuk do të ketë edhe për shkak të zotimit po ashtu të KFOR-it edhe të EULEX-it nuk do të ketë nevojë për t’u alarmuar më tej situata atje”.

Në veriun e Mitrovicës mesnatën e së premtes grupe serbësh të revoltuar dogjën një lokal, i cili ishte në pronësi të një qytetari shqiptar.

Kur zjarrfikësit shkuan për ta shuar zjarrin një granatë dore u hodh pranë tyre. Policia tha se dyshon që granata u hodh nga një grup qytetarësh serbë.

Ministri Zenun Pajaziti nuk dëshiron të paragjykojë, por shprehet i bindur se organet e rendit do të mund të vënë nën kontroll situatën në veri të Kosovës.

Zenun Pajaziti: “Nuk dëshiroj të paragjykoj shumë. Këto në shumicën e rasteve kemi individë që janë të përfshirë disa herë në incidente të ndryshme. Disa prej incidenteve kohëve të fundit lidhen po ashtu me interesa të ndryshme biznesi. Po ashtu kemi raste ku motivohen nga qarqe të ndryshme politike të Beogradit”.

Ndryshe kryeministri Hashim Thaçi ka vendosur të ndajë 100 mijë euro për familjet, të cilave iu dëmtua prona dhe biznesi i tyre në incidentin që ndodhi dy ditë më parë në lagjen e Boshnjakëve./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki