Përfshirja e letrave nga populli për dosjet e kandidaturave të dekretuara nga presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë është kundërshtuar dhe është konsideruar jashtë procedurës nga përfaqësuesit e opozitës, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në komisionin parlamentar të ligjeve.
Nënkryetari i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj, por edhe deputeti Spartak Braho kanë nënvizuar se duhet të merren në shqyrtim vetëm materialet e ardhura nga institucionet.
Fatmir Xhafaj: “Kjo që ka ndodhur nuk falet, ne nuk kemi hapur një seancë publike për t’u shprehur qytetarët. Kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’iu drejtuar përzgjedhësit të kandidatëve që është presidenti i republikës, i cili i ka bërë publike të cilët kanë qenë 105, më duket mbi emra.”
Fatos Beja: “Letrat nga qytetarët janë pjesë e një procesi transparent publik në përputhje me rregulloren. Ju pëlqen apo s’iu pëlqen zoti Braho ju keni votuar kundër, nuk ju pëlqen, keni dëshmuar që s’iu pëlqen. Por ky është një vendim i Kuvendit që ne jemi të detyruar ti përgjigjemi.”
Spartak Braho: “Absolutisht nuk më pëlqen kjo lloj procedure. Dekretet e presidentit kam thënë o votohen o rrëzohen, mos luani me personalitetin e gjyqtarëve.”
Gjatë prezantimit për anëtarëve të komisionit, 6 kandidatët për në GJL, Aleksandër Muskaj, Arjana Fullani, Andi Çeliku, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Majlinda Andrea janë ndalur në momentet kryesore të karrierës së tyre profesionale, duke e konsideruar një ambicie të çdo juristi emërimin në Gjykatën e Lartë./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama