Kryetari i Partisë Socilaliste i shoqëruar nga drejtues të lartë të kësaj force politike Ruçi, Majko, Kodheli, Minxhozi, Abazi e Kaja ka zhvilluar një takim me banorët e qytetit të Peshkopisë.

Në fillim të këtij takimi kryetari i PS Rama, ka bërë një apel për kryeministrin Berisha, duke i uruar shërim të shpejtë djalit që lufton me vdekjen në spitalin e Peshkopisë.

Edi Rama: “Unë dua t’i them Sali Berishës, se një djalë është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Peshkopisë, në pritje të mjekut anestezist nga Tirana. Kjo është një Shqipëri që nuk e duam, ne duam një Shqipëri tjetër.”

Duke folur për dialogun me Shqipërinë, Rama u shpreh se është një mësim i madh për të kuptuar se sa e vështirë është jeta në të gjithë vendin, e mbi të gjitha për të kuptuar  se sa e gabuar ka qenë dhe është politika e së shkuarës.

Rama tha, se kjo duhet të marrë fund për ti hapur rrugë një marrëdhënie të re, për të cilën  nevojitet një bashkim i madh i Shqiptarëve përtej të kufijve të partive politike.

Edi Rama: “Kjo është koha jonë, është koha jonë si prindër në radhë të parë, pastaj si socialistë, demokratë e tjerë në radhë të dytë. Është koha jonë në fund të fundit dhe në krye të të gjithave si shqiptarë e shqiptare që duam dhe meritojmë një Shqipëri më të mirë. Duke u bashkuar në partinë e madhe të fuqisë së ndryshimit, në partinë e madhe të nevojës për ndryshim. Në partinë e madhe të kësaj domosdoshmërie historike, që është partia e shqiptarëve dhe shqiptareve që përpara flamujve të cilësdo parti, kanë flamurin e Shqipërisë dhe të interesave të fëmijëve të tyre.”

Kryetari i  PS në këtë takim është shprehur i bindur se sfida më e madhe që ka PS, është beteja me pa punësinë, varfërinë dhe korrupsionin. Betejë që sipas Ramës do të fitohet nga PS për shkak të programit që po shkruhet nga njerëzit dhe për njerëzit./tvklan.al

Gazetar: Neki Feta