Projektligji për gjykatën administrative i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është kundërshtuar ashpër nga numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në komisionin e ligjeve.
Të ftuar në një seancë dëgjimore përfaqësuesit e KLD-së u shprehën se janë njohur me draftin përfundimtar vetëm nëpërmjet faqes së internetit të Ministrisë së Drejtësisë dhe se nga ana e këtij institucioni ka pasur një mungesë të theksuar serioziteti në lidhje me këtë projektligj.
Kreshnik Spahiu: “Ne jemi njohur me projektligjin përfundimtar vetëm nga website falë teknologjisë së lartë të internetit. Ka qenë një mungesë serioziteti e theksuar nga dërguesi i kësaj shkrese.”
Kreshnik Spahiu: “Ka ardhur e shoqëruar me versionin jozyrtar të projektligjit dhe në një mungesë serioziteti të plotë është detyruar këshilli ka diskutuar jo mbi projektin final, por mbi një projekt fillestar në prezencën e ekspertëve ndërkombëtarë mbasi ju e kishit kaluar në qeveri, zotëri.”
Në kundërpërgjigje të kësaj deklarate drejtoresha e kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë u shpreh se ka pasur një shkresë zyrtare që ftonte palët të ishin pjesë e diskutimit në projektligj, por theksoi Xhakollari, kanë qenë vetë përfaqësuesit e KLD-së ata të cilët kanë refuzuar të vihen në dijeni nga njoftimi i bërë.
Marsida Xhaferllari: “Ka qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. I është dërguar për mendim, ka qenë ditë e mërkurë kur është dërguar për mendim. Numri i protokollit të shkresës është 6808 dhe i është caktuar një afat i shpejtë për të dhënë mendim. Përgjigja e ardhur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë me përmbajtjen pak a shumë që nuk mund t’i japim përgjigje, nuk mund të japim mendimin tonë brenda këtij afati sepse jemi me shërbim jashtë shtetit.”
Spahiu kundërshtoi ashpër draftin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë me argumentin se ky projektligj i heq KLD-së të drejtën për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve duke ia dhënë këtë kompetencë Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas tij një gjë e tillë lë hapësira për abuzim. Një tjetër pikë e kontestuar nga përfaqësuesit e KLD-së ishte dhe emërimi i sekretarit administrativ, të cilin Spahiu e cilësoi një model të dështuar.
Sipas numrit dy të KLD-së duhen krijuar gjykata të veçanta dhe posaçërisht gjashtë të tilla pranë asaj të Apelit dhe jo seksione pranë tyre pasi sipas tij ekzistojnë mbi 3 mijë çështje në vit për t’u gjykuar./tvklan.al