Lajme Arkiva 2003

I akuzuari si një nga autorët e vrasjes së bashkëshortes në Itali u paraqit në Gjykatën e Rrethit të Krujës. Genci Hysa kërkoi shtyrjen e seancës, pasi nuk u paraqit avokati mbrojtës.

Por në Gjykatën e Krujës ka mbërritur edhe një inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësië, ai u ngarkua për të verifikuar vendimin e dhënë pak ditë më parë nga gjyqtarja Nazmie Pengili, ajo liroi gjatë seancës për masën e sigurisë të pandehurin tjetër të çështjes, Kujtim Dani, kushëri i parë me bashkëshortin e viktimës Genci Hysa.

Kryetarja e Gjykatës së Krujës ka konfirmuar ndërkohë se e njëjta gjyqtare Pengili ka vendosur 5 ditë më vonë masën e sigurisë burg pa afat për Danin. Fakti që e njëjta gjyqtare vendosi dy herë për të njëjtin të pandehur është se Gjykata e Krujës ka vetëm 6 gjyqtarë.

Kryetarja e Gjykatës së Krujës: Me datën 16.12.2003, po nga gjyqtarja Nazmie Pengili me vendimin 171, për shtetasin  Kujtim Dani, i akuzuar tani më për veprën penale të trafikimit të femrave dhe të vrasjes, është vendosur masa e sigurimit arrest në burg. Në lidhje me ankimin e familjarëve që është bërë, të dëmtuarës dhe në lidhje me informacionin që është dhënë në media është paraqitur sot në Gjyaktën e Shkallës së Parë Krujë një inspektor i këshillit të Lartë i Drejtësisë, për të kontrolluar të dy vendimet e dhëna nga gjyqtarja.

Në dosjen e vrasjes së Servete Hysës e cila shfrytëzohej nga i shoqi si prostitutë, kemi gjetur të dhëna mjaft tronditëse për mënyrën se si është masakruar. Ekspertiza mjeko-ligjore e Genovas në Itali, aty ku janë bërë hetimet e ngjarjes, e ka përshkruar masakrën të njëjtë më mënyrën që përdorin njerëzit për të therur bagëtitë. Kjo është një nga arsyet më të forta që Prokuroria e Krujës do të tregohet e rreptë në procedimin e personave përgjegjës. Të dyshuarit e deri tanishëm janë Kujtim Dani dhe bashkëshorti i viktimës. Të dy e përdornin 21-vjeçaren si prostitutë, ajo është goditur disa herë para se të gjente vdekjen nga prerja e fytit.

Edhe pse dosja prej 1200 faqesh e ardhur nga Italia përmban dëshmi të shumta dhe disa përgjime që implikojnë dy të pandehurit asnjëri prej tyre nuk i ka pranuar akuzat, as atë të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit dhe as atë të vrasjes./tvklan.al