Në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në strukturën euroatlantike, përfaqësuesit më të lartë të delegacionit Italian të Asamblesë Parlamentare të NATO-s vlerësuan punën e qeverisë për vendosmërinë në përmbushjen e reformave.

Gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Berisha, senatorët italianë përgëzuan vendosmërinë në përmbushjen e angazhimeve të qeverisë, që i hapën rrugën anëtarësimit me të drejta të plota në NATO në një kohë rekord, që sipas tyre do të lehtësojë njëkohësisht dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha ndërsa e cilësoi një moment historik anëtarësimin në NATO, i shprehu vlerësimet shtetit fqinj, duke thënë se ky proces nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e plotë të Italisë. Kreu i qeverisë i njohu më tej senatorët italianë me ecurinë e reformave në luftën me tolerance zero ndaj korrupsionit dhe krimit, si dhe në veçanti në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet italiane në Shqipëri. Nga ana e tyre senatoret e siguruan kreun e qeverise për një mbështetje të plotë në sfidën e radhës, atë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Senatorët italianë u takuan gjithashtu dhe me delegacionin shqiptar në Asamblenë e NATO-s, ku ndanë vlerësime pozitive për arritjet e qeverisë dhe klasës politike në përmbushjen e një sërë reformash që janë kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Pasdite delegacioni i Senatit italian i kryesuar nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Senatori Sergio De Gregorio, në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen e plotë që Italia i jep Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian, si dhe integrimit të plotë të Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër senatorët përgëzuan qeverinë shqiptare dhe  Shqipërinë për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut pas dy javësh  në Samitin e Strasburgut.

Ministri Basha pasi bëri një ekspoze të zhvillimeve dhe arritjeve nga reformat në vend, falënderoi senatorët për rolin që Italia ka luajtur  si partneri ynë kryesor politik dhe strategjik në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për një integrim të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Europian. /tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Enver Shehu