Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Afrimi i dy partive opozitare PD dhe PDR, për të negociuar për zgjedhjet vendore duket i largët. Bashkitë e qyteteve të mëdha është pika e nxehtë e diskutimit, ku secila prej partive opozitare kërkon të përfshihet në zgjedhje me kandidatin e vetë. Partia Demokratike ka deklaruar hapur, se reformatorët nuk do të gjejnë mbështetje përsa i përket këtyre bashkive.

Ilir Rusmali sekretar për çështjet juridike shprehet, se kërkesa të tilla janë absurde për t’u marrë në konsideratë.

Ilir Rusmali:- “Reformatorët në Durrës janë parti minore, si parti. Durrësi është qyteti i dytë i Shqipërisë, në qoftë se nuk kandidon PD dhe nuk votohet PD, do të thotë që në Durrës të vuloset humbja e boshtit të djathtë. Të kuptohemi, individët shkojnë e vijnë, në kuptimin politik të tyre, po shkojnë e vijnë edhe në kuptimin fizik të tyre. Rrinë në Shqipëri, votohen, nuk votohen, shkojnë jashtë shtetit, kalojnë vite atje pastaj kthehen përsëri, ndërkohë që Shqipëria dhe hallet e veta ngelen këtu”.

Ndërkaq reformatorët shpallën zyrtarisht Ferdinand Xhaferrin kandidat për bashkinë e Durrësit.

Genc Pollo:- “Është për mua një kënaqësi e veçantë, që të shpall kandidaturën e nënkryetarit të Partisë Demokrate të Re, zotin Ferdinand Xhaferri për bashkinë e Durrësit”.

Sipas Pollos, kandidatura e Xhaferrit nuk pengon aspak vazhdimin e negociatave, ndërsa vetë Xhaferri premton nënkryetarët në rast se përkrahet nga PD.

Ferdinand Xhaferri:- “Zoti Berisha është shprehur, që në rast mbështetje të zotit Ngjela në Tiranë, do të afronte postin e nënkryetarit, unë deklaroj, se edhe nëse PD nuk do të mbështesë, pra do të nxjerrë kandidatin e saj, në rastin e fitores time, të dy nënkryetarët dhe shumica e stafit të bashkisë do jenë anëtarë të aftë dhe të ndershëm të PD”.

Partia Demokratike u ofron demokratëve të reformuar 15% kandidatë të përbashkët dhe listë të këshilltarëve, në të gjitha zonat vendore./tvklan.al