“Iu gjet 4.5 tonë kanabis në banesë, përdorej si magazinë nga Habilajt”

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dënuar me 10  vite burg Armando Koçerrin, i akuzuar si pjesë e grupit të “Habilajve”. 32-vjeçari u arrestua në fshatin Babicë të Vlorës në Tetor të 2017-ës, ndërsa Nëntorin e kaluar prokuroria kërkoi dënimin me 15 vite heqje lirie.

Më herët, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të Koçerrit, në banesën e të cilit u gjet sasia prej 4.5 tonë kanabis, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit janë arrestuar në Itali.

Koçerri u dënua për trafik ndërkombëtar droge dhe grup i strukturuar kriminal. Çështja në ngarkim të 32-vjeçarit me profesion infermier u veçua nga pjesa tjetër e grupit të Habilajve pasi ai kërkoi gjykim të shkurtuar.

Sipas prokurorisë, Koçerri ka vendosur në dispozicion të grupit të Moisi dhe Florian Habilaj magazinën që përdorej për grumbullimin e kanabisit dhe më pas kryhej transporti me gomone drejt Italisë.

Në Gjykatën kundër Krimit dhe Korrupsionit vazhdon ende procesi për anëtarët e tjerë të grupit të Habilajve, mes të cilëve Moisi Habilaj, Nezar Seiti, Meridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ata akuzohen për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, akuza për të cilat janë dënuar në shtetin italian.

Tv Klan