Lajme Arkiva 2003
Po vuan më shumë se atëherë kur detyrohej të dilte në rrugë. Shpëtoi nga vuajtjet e tutorit pasi është në Shqipëri, por jo nga frika hakmarrëse e tij.
Shteti s’ka arritur ta marrë në mbrojtje, ka humbur rininë, është pa para dhe punë dhe po jeton të vërtetën. Një të trafikuare që ka denoncuar tutorët e saj i mungon siguria.
Vajza e trafikuar: Kam futur gjithë ata vetë në burg. Mos një ditë një ditë ai tjetri do e marri hakun. Sado që e ka bërë një gjë të tillë do e marri hakun, kjo nuk diskutohet, sa të jetojë, të jetojë. I kam marrë parasysh shumë gjëra. Mbrojtje? Ai thotë mbro veten, po të vrau, të vrau. Ata po vrasin më të mëdhenj e jo mua që i kam ditët e numëruara. Më ngelet ta vrasë unë me duart e mia, policia nuk po bën asnjë gjë.
Për 9 vjet 28-vjeçarja nga Elbasani ka punuar rrugëve të Italisë. Varfëria e ka shtyrë në një lidhje të parakohshme. Është mashtruar nga martesa, është shitur më shumë se dy herë.
Pas vdekjes së tutorit të parë kthehet në Shqipëri në vitin 1995 dhe largohet shpejt që këtej me një kujdestar të dytë. Shkak këtë herë bëhet familja. Mospranimi i këtij fenomeni dhe vuajtjet nisin nga e para.
Vajza e trafikuar: Më ka keqtrajtuar, se kam hequr dorë disa herë, jam ndarë. Pastaj jam ribashkuar nga frika deri në fund fare që jam ndarë përfundimisht. Unë kam punuar në rrugë si prostitutë. Me rrihte kur e kundërshtoja.
Dy vjet më parë ajo vendosi të heqë dorë dhe të shikojë jetë e saj, por has vështirësi.
Vajza e trafikuar: Jam papunë, gjithë ditën rri në shtëpi, nuk di si ta ndërtoj jetën time.
Zyra për mbrojtjen e qytetarëve e financuar nga Ambasada Amerikane, asiston çdo ditë dhe mundëson sigurimin e dëshmive përpara organit hetimor.
“Zyra për mbrojtjen e qytetarit vazhdon të garantojë për vajzat e trafikuara, mbrojtje ligjore falas. Nëpërmjet këtij shërbimi, bëjmë të mundur që dëshmitë e këtyre vajzave të kenë vlerën e provës në procesin hetimor”.
Pas kësaj jetese që u nis për më mirë, Albana kërkon të harrojë, por të mos harrohet./tvklan.al