Deputetët e PD-së që ndodhen në Parlamentin Europian në Strasburg patën një deklaratë për shtyp këtë të enjte. Në emër të tyre foli Albana Vokshi e cila tha se demokratët njoftuan të gjithë eurodeputetët “për sulmin e paprecedentë ndaj opozitës”.
“U ndalëm në sulmin e paprecedentë ndaj opozitës me qëllim shkatërrimin e saj para zgjedhjeve parlamentare. Jemi vetëm pesë muaj para zgjedhjeve dhe informuam të gjithë miqtë tanë në lidhje me lidershipin e opozitës, që ose është në arrest shtëpiak ose arrest me burg, ose kërcënohet me çështje të ndryshme, kallëzime penale, apo çështje të ndryshme. Informuam në lidhje me arrestimin politik të kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili për pjesën më të madhe të vitit ka qenë pa fakte, pa akuzë, pa dëshmitarë, qëllimshëm për të dëmtuar PD për të hyrë në zgjedhje pa lidershipin e saj. Informuam edhe për kolegun tonë Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg për faktin se denoncoi ish-ministrin e Brendshëm që fshihte vëllain e tij. Informuam edhe për, jo arrestimin, se ai ishte rrëmbim, të ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta. Pamjet ishin shokuese. Nuk mund të ndodhë një pamje e tillë për një ish-president për një vend që pretendon të ketë demokraci funksionale”, tha Vokshi.
Deputetja demokrate tha se morën mbështetje të pakufizuar për kërkesat e tyre. Një prej tyre qëndron në krijimin e një qeverie teknike me qëllim organizmin e zgjedhjeve.
“Një qeveri teknike, një qeveri që të kujdesej në muajt e fundit për organizimin e zgjedhjeve. Kërkesa jonë është mbështetje për të kthyer mbrapsht demokracinë Shqipërisë, për të kthyer mbrapsht zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjetëm mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjitha grupeve të ndryshme politike, por edhe të gjithë funksionarëve të lartë që takuam”, tha Vokshi.
Kujtojmë se një ditë më parë, një pjesë e deputetëve të PD-së protestuan para PE-së për t’u treguar ndërkombëtarëve, sipas tyre, keqqeverisjen e socialistëve në vend. Nga ana tjetër një pjesë e tyre u futën brenda Parlamentit Europian për të zhvilluar takime me eurodeputetët ku i informuan për kauzat e tyre./tvklan.al