Deputeti socialist i Vlorës, Shpëtim Idrizi është larguar nga Partia Socialiste, duke e ulur në 64 numrin e deputetëve të kësaj force politike në parlamentin e ri. Idrizi ka themeluar një parti të re, atë për Drejtësi dhe Unitet, së bashku me deputetin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Dashamir Tahirin. Kjo forcë e re politike do të ketë si pikë orientuese të programit të saj, çështjen kombëtare çame.
Shpëtim Idrizi: “Sigurisht që unë nuk kam pasur asnjë pengesë gjatë aktivitetit tim politik dhe brenda PS-së, që të shprehem për çështjen çame. Por sigurisht që për mua çështja çame është vukacioni kryesor i qenies time në politikë. PS-ja është parti e madhe, ka shumë çështje dhe unë besova që t’i afrohem zërit të arsyes dhe zërit të vokacionit tim, për t’iu bashkuar asaj ndjenje shumë të fuqishme kombëtare e cila ka të bëjë edhe me çështjen çame.”
Forca me e re politike do të përfaqësohet me 2 vende në parlament. Të pyetur se për kë do të jenë votat e PDU në Kuvend, Idrizi dhe Tahiri nuk kanë preferuar të japin një përgjigje të qartë. Vetë Tahiri pati deklaruar se mandati i tij është i kësaj mazhorance dhe votat e tij në Kuvend do të jenë vetëm pro saj.
Ndërkohë për të folur për të gjitha arsyet që e çuan në largimin nga PS-ja dhe krijimin e partisë së re, Partia për Drejtësi dhe Unitet, deputeti Shpëtim Idrizi është i ftuar sot në mbrëmje në emisionin Opinion të Blendi Fevziut./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka