Deputeti socialist i Vlorës, Eduart Alushi, ka akuzuar Kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe deputetët Arben Malaj dhe Mezan Malaj për manipulimin e Konferencës së Vlorës. Sipas deputetit Alushi skenari për manipulimin e votave ne Vlorë ishte paramenduar që nga Korriku, kur filloi një fushatë spastrimesh dhe emërimesh, por edhe kur fiktivisht u rrit numri i delegatëve nga 31 në 42. “Është verifikuar gjithashtu që 90% e rreth 105 fletëve votimi të pavlefshme janë manipuluar me qëllim dhe me arsyen e vetme, sepse mes të votuarëve në këto fletë votimi kanë qenë edhe deputetët Eduart Alushi dhe Sabit Brokaj. Lista e delegatëve të Vlorës, që do të përfaqësojnë këtë Konferencë të Partisë, ka dhe disa fakte të tjera të rënda. Rreth 25% e personave aty kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin dhe rreth 15% e tyre kanë lidhje familjare të afërta me njëri-tjetrin. Grupi i sulmit, i individëve me moral të turpshëm apo të inkriminuar në fenomene kontrabande apo trafikimi, njihen mirë nga opinioni vlonjat. Ata njollosën keq imazhin e konferncës së socialistëve. Një nga drejtuesit e tyre ishte Mane Çuri nga Tragjasi, i liruar ditë më parë nga burgu, për krimin e turpshëm të përdhunimit të së miturës brenda familjes. Ky person, u kap nga kamerat televizive në tentativë për t’u konfliktuar me deputetin Eduart Alushi, pjesë e misionit që ishte ngarkuar më parë. Kjo tregon se çfarë kategorie njerëzish po afrohen në Partinë Socialiste.”/tvklan.al