Një ngarkesë prej 217 kg marijuanë u sekuestrua në zonën e Leçes në Itali gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe policisë italiane.

Tvklan.al ka mësuar se dyshimet e para nisën nga dy shqiptarë në portin e Vlorës, të cilët po udhëtonin drejt Italisë me traget. Policia Kufitare e Vlorës dyshoi se dy personat ishin të përfshirë në aktivitet të dyshimtë dhe njoftuan homologët italianë.

Pasi mbërritën në Itali, u mbajtën në vëzhgim për rreth dy ditë deri sa u takuan me dy shqiptarët e tjerë me iniciale B.K. dhe A.D. të arrestuar tashmë në shtetin fqinj. Të katërt shqiptarët e dyshuar po mbaheshin nën vëzhgim, deri sa dy të arrestuarit u zbuluan se kishin fshehur 217 kg kanabis në një shkurre pranë banesës së tyre. Ata u arrestuan në flagrancë nga karabinierët, ndërsa sasia e lëndës narkotike u sekuestrua.

Nga hetimet rezulton se shqiptarët aktivitetin e drogës e zhvillonin në shtetin italian. Burime bëjnë me dije për tvklan.al se kanabisi nuk ishte trafikuar nga Shqipëria, por kishte hyrë në Itali nga Maroku. Autoritetet italiane në bashkëpunim me palën shqiptare janë duke vijuar hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

/tvklan.al