Altin Hodaj, masazhatori i Gramozit që goditi gjyqtarin anësor në ndeshjen Gramozi-Vllaznia do të përballet me drejtësinë për këtë goditje e cila është cilësuar nga ministri i sportit Ferdinand Xhaferri si goditje për shkak të detyrës. Titullari i ministrisë së sportit i del kështu në mbrojtje arbitrave shqiptarë.
Ferdinand Xhaferri: “Me cilësinë e Ministrit të Sporteve kam firmosur sot kallëzimin penal, bazuar në nenin 237 të kodit penal i cili thotë: Goditja që i bëhet punonjësit që kryen detyrën shtetërore apo një shërbim publik dënohet deri në 3 vjet burg. Karshi këtij akti barbar që guxon një bandit që mban fanellë sporti të dhunojë aq barbarisht një gjyqtar. I kërkova komisionit të Disiplinës që në analizat e tyre të marrin vendime dhe të ndalojnë me 1,2 apo 3 vjet futjen në stadium të gjithë atyre zyrtarëve që pavarësisht imunitetit guxojnë të futen në fushën e blertë.”
Ministri ka bërë deklaratën e tij pas takimit që ka patur me Presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka.
Armand Duka: “Shiko ndëshkimet sportive tek ne janë goxha të ashpra. Unë mund të themi që i kemi më të ashpra ndoshta se të gjithë të tjerët dhe rasti konkret do ketë një dënim maksimal nga organet e FSHF dhe gjithë rastet e tilla kanë pasur dënime maksimal, gjithsesi ne japim dënime sportive. Realisht i kam thënë dhe ministrit nuk jam si të thuash për ndërhyje penale në fushën e sportit.” Komisioni i Disiplinës në Federatën e Futbollit ka aplikuar ndëshkimet maksimale për ata që ushtrojnë dhunë në fushë, por thuajse çdo javë janë shfaqur ngjarje të tilla./tvklan.alGazetar: Erion Todhe