Kosova është një vend mik i Greqisë. Me këto fjalë Ministrja e Punëve të Jashtme greke, Dora Bakojanis, ka shmangur komentet për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke argumentuar se Athina do ta ndërmarrë këtë hap në përputhje me interesat e veta kombëtare për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
Këto komente diplomatja greke i bëri pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, dhe kryeministrin Hashim Thaçin.
Fatmir Sejdiu: “Dua të them se shpreha falënderimet tona të institucioneve të Kosovës, por dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e rëndësishme që ka dhënë Greqia”.
Hashim Thaçi: “Raportet e Kosovës me Greqinë janë raporte shumë të mira. Edhe vetë vizita e ministreshës është një vizitë për të përshëndetur progresin e arritur në Kosovë”.
Bakojanis gjatë kësaj vizite ka komentuar raportet e Athinës me Tiranën.
Dora Bakojanis: “Së pari ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me popujt e rajonit. Nuk kemi asnjë problem me Shqipërinë. Tashmë është futur në procedurë në parlament nënshkrimi i protokollit për anëtarësim të Shqipërisë në NATO dhe është çështje kohe kur do të merret ky vendim. Gjithashtu kemi ratifikuar edhe MSA-në Shqipëri-Bashkimi Evropian.”
Greqia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki