Parlamenti shtyu sërish votimin për heqjen e pikës 4 të vendimit të Kuvendit që parashikon të drejtën e vetos së dy partive të mëdha në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, propozoi shtyrjen për sa kohë nuk është arritur konsensusi me opozitën. Propozimi u miratua me 79 vota pro, megjithëse Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të komisionit të ligjëve dhe nismëtari Nard Ndoka e cilësuan të pajustifikueshëm këtë vendim.
Spartak Braho: “Pasi komisioni edhe një javë edhe mbaron punë, i mbaron afati. Në qoftë se mendohet të shtyhet për të na vënë para faktit të kryer që komisionit i mbaroi afati, hallall e paçi, shtyheni!”
Nard Ndoka: “Nuk ka se pse një projektvendim i paraqitur nga PDR-ja të mbetet si një formë presioni mes partive politike. Ato janë probleme qe do t’i zgjidhin vetë Partia Demokratike me Partinë Socialiste.”
Partia Demokratike kërkon ndryshim të përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por socialistët pretendojnë se të zgjedhurit janë në përputhje me kushtetutën.
Gramoz Ruçi: “Askush nuk duhet të mendojë dhe unë habitem që i jepet PS-së monopoli mbi KQZ-në. KQZ-ja është institucioni kushtetues i zgjedhur nga institucione kushtetuese shqiptare. Kështu që pse i jepet monopoli PS-së. PS-ja ka përfaqësuesit e saj sipas kodit elektoral dhe kushtetutës shqiptare, vetëm kaq. Dhe me këtë rast i bëj apel PD-së që të mbajë vendet dhe të zbatojë vendimin që ajo ka shprehur vullnetin politik edhe votën institucionale në parlament.”
Seanca u shoqërua me debate me shpalljen e ditës së kujtesës 27 janarin në përkujtim të masakrës ndaj hebrenjve. Partia Demokratike kërkoi që ligji të përfshijë dhe spastrimet etnike ndaj kosovarëve, çamëve edhe romëve, por ky propozim nuk u miratua.
Sali Berisha: “Askush nuk mund të harrojë gjenocidin në Bosnjë që ishte rreth çerek milion.”
Spartak Braho: “Ne nuk mund të merremi me gjithë popujt apo shtresat e ndryshme të cilat kanë vuajtur, sepse nuk janë vetëm ata të Ruandës, por janë edhe të Haitit, janë edhe të Burundit.”
Namik Dokle: “12 qershorin e ka shpallur ditë përkujtimore për Kosovën.”
Në fund të seancës, kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi deklaroi përbërjen e re të komisioneve parlamentare të përhershme në bazë të të cilave socialisti Elmaz Sherifi zëvendëson Spartak Brahon nga Lëvizja Socialiste për Integrim në postin e kryetarit të komisionit të ligjeve dhe çështjeve kushtetuese. Në bazë të propozimeve, deputetët e grupit të ri parlamentar të socialistëve aderojnë vetëm si anëtarë të komisioneve parlamentare për këtë sesion të shtatë të legjislaturës së 16-të. /tvklan.al