Në ditën botërore të të moshuarve kryeministri Sali Berisha ka inauguruar rikonstruksionin e godinës së azilit në lagjen Ali Demi.
Me këtë rast kreu i qeverisë premtoi se të moshuarit nuk do të ndihen më kurrë të vetmuar, ndërsa theksoi se kjo kategori mbetet prioritet madhor i qeverisë së tij.
Sali Berisha: “Shfrytëzoj rastin për t’i siguruar të moshuarit në Shqipëri se në agjendën e qeverisë sime janë dhe do mbeten një përparësi madhore. Dy vjet më parë linin në shtëpitë e kujdesit për ta 80% të pensionit. Këtë e zbritën në 50% dhe prapë do ta zbresim. Do të rris fondet për to në mënyrë që kushtet e jetës së tyre, dita e tyre të jetë një ditë e plotë dhe kushtet të jenë sa më normale.”
Nga ana tjetër kryetari i bashkisë Edi Rama në një takim me disa të moshuar me rastin e kësaj dite ka shprehur shqetësimin në lidhje me pensionet duke thënë se ato janë të pamjaftueshme.
Edi Rama: “Në rast se marrim një çift pensionistësh me 260 mijë lekë e veta jemi larg së pasuri shumën që duhet për të përballuar këtë jetesë ku fatura e energjisë është rritur 55%. Një pjesë shumë e rëndësishme e ilaçeve nuk janë më të rimbursueshme.”
Sipas statistikave aktualisht rreth 10% e popullsisë në vendin tonë është mbi 60 vjeç, ndërsa pritet që deri në vitin 2020 të moshuarit të përbëjnë 15% të popullsisë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami