Dita e Verës e ktheu edhe këtë vit Elbasanin në kryeqendrën e festimeve.
“Mijëra qytetarë nga Elbasani dhe mbarë trojet shqiptare kanë festuar sot Ditën e Verës në Elbasan. Është një festë pagane që vjen nga thellësia e shekujve dhe që i bashkon njerëzit pa asnjë dallim ndaj dhe mesazhi që përcjell është ai i paqes, bashkëpunimit dhe solidaritetit.”
Qytetarë të shumtë, nga rrethe të ndryshme dhe nga jashtë Shqipërisë kanë zgjedhur që 14 Marsin, ditën që simbolizon ardhjen e pranveres, ta festojnë në qytetin e traditës së kësaj feste.
“Urimi më i bukur është të kemi një verë të mbarë, të shëndetshme dhe të jemi në paqe me të gjithë.”
“Ju uroj të gjithëve gëzuar Ditën e Verës, anë e mbanë ku ndodhen.”
Koncerte, karnevale, lojra popullore dhe panaire janë aktivitetet e organizuara për të argëtuar këdo që ka zgjedhur Elbasanin për ta pritur këtë ditë.
Moti i ngrohtë dhe me diell ka favorizuar edhe më shumë daljen e qytetarëve për të festuar.
“Edhe zoti është me ne. Shiko si ndriçon qielli. Elbasani traditën e ka që 14 Marsin e ka ditën e parë të Pranverës pas një dimri të gjatë sot shkëlqen çdo gjë. Shikoni si është zbukuruar qyteti sepse është në zemër të të gjithë elbasanllinjve.”
“Tradita është shumë e bukur. Kemi ato gjërat shumë të bukura që e bëjnë të veçantë Ditën e Verës nga qytetet e tjera. Është ballokumja, janë ushqimet tradicionale që e bëjnë të veçantë këtë ditë dhe i mirëpresim të gjithë që të na bashkohen dhe të kalojmë gëzuar.”
“Ballokumja është ëmbëlsira e kësaj dite të shënuar dhe atë e sheh ngado, gatuar jo vetëm nga elbasanasit, por edhe nëpër dyqanë të gatuara me mjaft delikatesë dhe me shije të mirë.”
Simbolet e festës, ballokumet dhe veroren i gjen në çdo rrugë, ndërsa fëmijët janë ata që i gëzohen më shumë kësaj feste.
Në oganizimet e kësaj nuk kanë munguar dhe panairet me produkte të ndryshme ushqimore dhe artizanale të zonës.
Klan News