PËRDITËSIMI I FUNDIT ORA 22:38
◾Rreth 5000 persona janë evakuuar nga qyteti verilindor i Sumy-t. Ky qytet ka qenë nën bombardime nga rusët për ditë me radhë.
◾Një korridor humanitar që u hap të martën do të vazhdojë edhe të mërkurën ka thënë guvernatori i Sumy-t.
◾Moska ka njoftuar të tjera armëpushime humanitare për qytete të ndryshme duke përfshirë Kievin dhe Mariupolin.
◾Kombet e Bashkuara thonë se rreth 2.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që kur nisi lufta.
◾Presidenti amerikan, Joe Biden, ka shpallur një ndalim total në SHBA mbi importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit për t’i dhënë një “goditje të fuqishme” Vladimir Putinit.
◾McDonald’s, Starbucks dhe Coca-Cola janë kompanitë e fundit Perëndimore që kanë pezulluar punën në Rusi.
Sony pezullon shitjet e PlayStation në Rusi për shkak të luftës në Ukrainë
“Sony Corp” ka konfirmuar se do të ndalohen dërgesat e softuerëve dhe pajisjeve të tyre në Rusi në një kohë kur luftë në Ukrainë është në ditën e 14-të të saj.
Gjithashtu, Sony Interactive Entertainment tha që kishte pezulluar funksionimin e PlayStation Store në Rusi.
Sjellim në vëmendje se ditën e djeshme, McDonald’s, Starbucks dhe Coca-Cola kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm.
Zelensky: Kërcënimet bërthamore të Putin-it, një “blof”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e qujti kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin për t’iu drejtuar armëve bërthamore një “blof”.
“Unë mendoj se kërcënimi i luftës bërthamore është një blof. Është një gjë të jesh vrasës. Është tjetër të bësh vetëvrasje”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën e njohur gjermane, Die Zeit.
Sjellim në vëmendje se Putin më 27 Shkurt urdhëroi krerët e ushtrisë të vendosin në gatishmëri të lartë të arsenalit bërthamor, pas miratimit të sanksioneve të ashpra ekonomike nga perëndimi.
Ndërkohë, Zelensky vazhdoi duke thënë se kërcënimi bërthamor i Putinit “tregon një dobësi”.
“Çdo përdorim i armëve bërthamore do të thotë fundi për të gjitha palët, jo vetëm për personin që i përdor ato”, tha presidenti ukrainas.
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës mund të takohen nesër
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka mbërritur në resortin jugor turk të Antalias. Këtë lajm e bëri të ditur agjencia e lajmeve Reuters teksa ka cituar një dëshmitar. Takimi me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba është planifikuar ditën e nesërme.
Nëse takimi do të realizohet, do të shënojë herën e parë të bisedimeve mes tyre që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj.
“Sinqerisht, pritshmëritë e mia nga bisedimet janë të ulëta,” tha Kuleba më herët.
Ukraina dëshiron një armëpushim, çlirimin e territoreve të saj dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve humanitare. Moska kërkon që Kievi të marrë një pozicion neutral dhe të heqë dorë nga çdo aspiratë për t’u antarësuar në NATO.
Sulmet në Ukrainë, Xhaçka: Udhëzova ekipin tonë në OKB për t’i bërë presion Rusisë
Pas sulmeve dhe bombardimeve të Rusisë në maternitetin dhe spitalin e fëmijëve në Mariupol të Ukrainës, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar duke dënuar veprimet dhe agresionin e palës ruse.
Në në postim në Twitter, Xhaçka shkruan se udhëzuar ekipin shqiptar në Këshillin e Sigurimit në OKB që të koordinojë punën me partnerët për t’i bërë presion Rusisë që të ndalojë sulmet ndaj civilëve.
“Të tmerruar nga sulmi Rus në spitalin në Mariupol në Ukrainë . Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen dhe indinjatën për këtë akt barbar. Vrasja e civilëve, shkatërrimi i materniteteve,shndërrimi i infrastrukturës civile në gërmadha, janë krime që duhet të dënohen nga e gjithë bota.
Udhëzova ekipin tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të koordinojë punën me partnerët për t’i bërë presion Rusisë që të ndalojë sulmet ndaj civilëve”, shkruan ministrja Xhaçka.
Ushtarë britanikë nuk u binden urdhrave dhe shkojnë të luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë
Një numër i vogël ushtarësh të Britanisë së Madhe dyshohet se kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë kundër Rusisë.
Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Ushtria Britanike, e cila në një deklaratë për mediat sqaron se një numër i vogël ushtarësh nuk i janë bindur urdhrit dhe kanë shkuar personalisht në Ukrainë.
“Ushtarët mungonin pa leje dhe mund të kenë shkuar në Ukrainë”, thuhet në komunikatën e Ushtrisë Britanike.
“Ne po i inkurajojmë fuqimisht që të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar”, tha zëdhënësi i ushtrisë.
I gjithë personeli i ushtrisë britanike e ka të ndaluar që të udhëtojë në Ukrainë deri në një njoftim të dytë.
Armëpushimet e Rusisë në Ukrainë marrin fund për momentin
Në minutat e fundit, një armëpushim 12-orësh i dakordësuar nga Rusia dhe Ukraina ka marrë fund për ditën e sotme. Ai zbatohej në 6 rajone të Ukrainës, në zona të tilla si Mariupol, Kharkiv dhe periferi të Kievit, ku bombardimet ruse kanë qenë më të rëndat.
Më herët, një diplomat ukrainas pretendoi se 40,000 civilë mundën që të largoheshin nga qytetet e shkatërruara nga lufta, megjithëse korridoret humanitare në Mariupol dhe Kharkiv dështuan në një masë të gjerë.
Civilët ishin në gjendje të largoheshin nga qyteti verilindor i Sumy, pjesë të rajonit të Kievit dhe Enerhodar në Ukrainën jugore.
Rusia pranon përdorimin e armëve termobarike në Ukrainë
Rusia ka konfirmuar se po përdor armë termobarike në Ukrainë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Ministrisë në fjalë, ky lajm ishte bërë me dije nga homologu i tyre rus, i cili u kishte thënë se sistemi i armëve TOS-1A ishte vendosur. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se janë përdorur raketa termobarike, duke krijuar shpërthime.
Armët termobarike thithin oksigjen nga ajri përreth për të gjeneruar një shpërthim me temperaturë të lartë.
Johnson dënon bombardimin e spitalit: Ne do të kërkojmë llogari nga Putini për krimet e tij
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka dënuar bombardimet e një spitali fëmijësh në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Johnson tha se Britania “është duke shqyrtuar më shumë mbështetje për Ukrainën për t’u mbrojtur kundër sulmeve ajrore, duke shtuar se “do të kërkojmë llogari nga Putin, i cili është përgjegjës për krimet e tij të tmerrshme”.
Këshilli i qytetit të Mariupolit ka postuar video të spitalit të fëmijëve të sulmuar dhe ka akuzuar forcat ruse se kanë hedhur disa bomba mbi të nga ajri.
Blinken: Jemi të bashkuar për të rritur kostot për Kremlinin
Në një konferencë për shtyp në Uashington, Antony Blinken së bashku me sekretaren e jashtme, Liz Truss këtë pasdite kanë folur për situatën në të cilën ndodhet Ukraina.
“Ne jemi të bashkuar në rritjen e ndihmës sonë për sigurinë e popullit të Ukrainës, i cili po vuan rëndë për shkak të katastrofës humanitare të shkaktuar mbi ta nga pushtimi i Moskës. Dhe ne jemi të bashkuar në përpjekjet tona për të rritur kostot për Kremlinin për zhvillimin e kësaj lufte.”
Blinken tha se Perëndimi është i bashkuar në thirrjen që Vladimir Putin të lejojë civilët ukrainas të largohen menjëherë nga vendet e konfliktit.
Më pas, Liz Truss doli në podium, duke pohuar se pushtimi i Ukrainës nga Putini po shkakton “dhimbje dhe vuajtje të madhe”.
17 të plagosur si pasojë e sulmit ajror rus në spitalin e fëmijëve në Mariupol
Si pasojë e sulmit rus në një spital fëmijësh në Mariupol, guvernatori ukrainas, Pavlo Kyrylenko ka thënë se gratë shtatzëna ishin në mesin e plagosurve.
Imazhet nga vendi i ngjarjes tregojnë për një shkatërrim masiv në këtë spital. Pavlo Kyrylenko tha se ky sulm është zhvilluar gjatë një armëpushimi të rënë dakord me Rusinë, i cili do të mbahej deri në orën 21:00 me orën lokale të Moskës.
Asnjë civil nuk ishte në gjendje të largohej nga Mariupol për shkak të bombardimeve të vazhdueshme ruse.
“Rusia nuk iu përmbajt marrëveshjeve të armëpushimit”
Rusia ka dështuar në masë të gjerë për t’iu përmbajtur marrëveshjeve të armëpushimit, kanë thënë autoritete ukrainase. Siç u raportua, Rusia ra dakord mbrëmjen e djeshme që të respektojë armëpushim të përkohshëm në gjashtë rajone të Ukrainës për të lejuar evakuimin e civilëve.
Megjithatë, këshilltari i ministrisë së brendshme të Ukrainës, Vadym Denysenko tha se Moska “ka dështuar” pasi nuk i është përmbajtur këtyre marrëveshjeve.
Evakuimet rezultuan të suksesshme në qytetin verilindor të Sumy dhe në Enerhodar, por nuk ishin të mundura në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Denysenko u shpreh se ata ishin pjesërisht të suksesshëm në rajonin e Kievit.
Bombardimet kanë vazhduar në qytetin port jugor të Mariupolit, ku një spital u shkatërrua nga disa sulme ruse në orët e fundit.
OKB: Të paktën 516 civilë të vrarë në Ukrainë
Zyra e OKB-së ka verifikuar se që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë rezulton se 516 persona kanë humbur jetën, ndërsa 908 janë plagosur. Megjithatë, sipas OKB-së shifrat janë më të larta, por akoma nuk janë verifikuar.
Ky raport ka shënuar një rritje pasi ditën e djeshme u raportuan për 474 civilë të vrarë që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë.
Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e bombardimeve dhe sulmeve ajrore.
Zelensky: Fëmijët nën rrënoja pas bombardimeve në spitalin e Mariupolit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka reaguar pas lajmeve se një spital për fëmijë në Mariupol është shkatërruar plotësisht si pasojë e bombardimeve ruse. Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai pretendoi se fëmijët janë bllokuar nën rrënoja.
Mariupol. Direct strike of Russian troops at the maternity hospital. People, children are under the wreckage. Atrocity! How much longer will the world be an accomplice ignoring terror? Close the sky right now! Stop the killings! You have power but you seem to be losing humanity. pic.twitter.com/FoaNdbKH5k
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) March 9, 2022
“Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtor që injoron terrorin? Mbyllni qiellin tani! Ndaloni vrasjet”, shkroi Zelensky.
Më herët, nënkryetari i bashkisë së Mariupol-it pretendoi se 1200 njerëz kanë vdekur në këtë qytet.
Gjermania nuk do të dërgojë aeroplanë luftarakë në Ukrainë
Gjermania ka thënë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë pasi SHBA hodhi poshtë ofertën e Polonisë për të dërguar të gjithë avionët e saj luftarakë Mig-29 të prodhimit sovjetik në Ukrainë, nëpërmjet një baze ajrore amerikane në Gjermani.
Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, kancelari Olaf Scholz tha:
“Ne kemi ofruar të gjitha llojet e materialeve të mbrojtjes dhe po ashtu kemi dërguar dhe armë, por është e vërtetë që ne duhet të shqyrtojmë me shumë kujdes atë që ne bëjmë dhe padyshim që avionët luftarakë nuk janë pjesë e kësaj”.
I pyetur nëse Gjermania ishte kategorikisht kundër një ndalimi të importeve të energjisë ruse, Scholz tha se ai kishte punuar për të reduktuar varësinë e vendit nga importet e karburanteve fosile për disa muaj.
Shkatërrohet nga sulmet ruse spitali i fëmijëve në Mariupol
Një spital fëmijësh në qytetin port jugor të Ukrainës është shkatërruar plotësisht nga sulmet ruse, sipas këshillit të qytetit të Mariupol.
“Forcat pushtuese ruse kanë hedhur disa bomba në spitalin e fëmijëve. Shkatërrimi është kolosal”, thuhet në deklaratë.
Akoma nuk është bërë e ditur nëse ka pasur viktima.
Prej ditësh, Mariupoli është i rrethuar nga trupat ruse dhe ka qenë nën shënjestër të bombardimeve. Si pasojë e agresionit rus, mijëra njerëz kanë mbetur pa ushqim, ujë dhe energji elektrike.
Kryqi i Kuq e ka përshkruar situatën si “apokaliptike”, ndërsa nënkryetari i bashkisë pretendon se 1200 njerëz janë vrarë në këtë qytet.
Ditët e fundit kanë dështuar disa përpjekje për të evakuuar civilët nga Mariupol.
Arabia Saudite dhe Emiratet nuk mbështesin sanksionet ndaj Rusisë
Nga rekordi 8-vjeçar prej 132 dollarësh për fuçi që arriti të Martën pas vendimit të Uashingtonit dhe Londrës për të ndalur importet nga Rusia, çmimi i naftës bruto ra këtë të Mërkurë në 125 dollarë për fuçi.
Ecuria e çmimit të naftës bruto mbetet krejt e paqartë dhe kjo rrezikon t’a çojë çmimin në lartësi të tjera. Presidenti amerikan Joe Biden premtoi para se të merrte vendimin se në koordinim me 30 vende partnere, se do të shtonte me 60 milionë fuçi naftën bruto në treg, për të minimizuar efektet negative të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.
Por prestigjiozja Financial Times shkruan se monarkët e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara që ndodhen në listën e partnerëve të Bidenit “de Fakto” kanë refuzuar deri më tani t’i përgjigjen thirrjes së shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Ata nuk u janë përgjigjur telefonatave të deritanishme të Presidentit amerikan për të diskutuar shtimin e prodhimit që synon stabilizimin e çmimit. Kjo shton dyshimet se dy prej eksportuesve më të mëdhenj të Gjirit Persik, nuk janë në krah të aleatëve perëndimorë për luftën në Ukrainë.
Një tjetër goditje, çmimeve global të naftës bruto, por jo vetëm, mund t’i vijë edhe nga Rusia. Mediat shkruajnë se presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi edhe një urdhër që kufizon ose ndalon për këtë vit, eksportin e disa lëndëve të parë, të cilat ende nuk janë bërë publike.
Nuk përjashtohet mundësia që në listë të jetë nafta dhe gazi. Çmimet mund të qëndrojnë në këto nivele për periudha afatgjata, sipas një analize të britanikes Telegraf, pasi shkëputja e Europës nga varësia ruse mund të rrisë përgjithmonë kostot e energjisë për kontinentin, nëse gazi dhe nafta do të transportohen me anije nga Shtetet e Bashkuara dhe jo më me gazsjellës.
Zelensky paralajmëron për ‘katastrofë humanitare’ masive pa zonë ndalim-fluturimi
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se komuniteti ndërkombëtar do të jetë përgjegjës për një “katastrofë humanitare” masive nëse nuk bie dakord për një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë.
“Ukraina po u përsërit edhe një herë partnerëve të saj që nga dita e parë e sulmit rus: nëse nuk e mbyllni hapësirën ajrore, ju do të jeni përgjegjës për këtë fatkeqësi. Një katastrofë e madhe humanitare. Rusia po përdor raketa, avionë, helikopterë ushtarakë kundër nesh. Kundër civilëve. Kundër qyteteve tona. Kundër infrastrukturës sonë”.
Ai tha se ukrainasit kanë treguar gjatë dy javëve të fundit se nuk do të dorëzohen kurrë.
“Armiku mund të shkatërrojë muret, shtëpitë, shkollat dhe kishat tona. Mund të shkatërrojë fabrikat e Ukrainës. Por nuk do të mundë kurrë shpirtin, zemrën dhe dëshirën tonë për të jetuar të lirë. Dhe për të luftuar me guxim”.
Zelensky foli edhe për dërgimin e avionëve polakë në bazën amerikane. Pilotët ushtarakë ukrainas përdorin avionë MiG-29 dhe zyrtarët e lartë ukrainas u kanë kërkuar vende të tjera që kanë avionë të tillë t’i transferojnë në Ukrainë, ku mund të futen në përdorim pa patur nevojë për trajnim shtesë. Ai kërkoi avionë ushtarakë nga Perëndimi me arsyetimin se vendi ndohet ne gjendje lufte dhe nuk është një lojë ping-pongu pasi bëhet fjalë për jetë njerëzish të pafajshëm.
Udhëheqësit e BE, të ndarë për anëtarësimin e Ukrainës
Udhëheqësit e Bashkimit Europian janë të ndarë nëse do ta vendosin Ukrainën në rrugën e anëtarësimit, tha këtë të mërkurë një zyrtar i bllokut. Deklarata vjen një ditë përpara se krerët e vendeve anëtare të diskutojnë kërkesën e Kievit të paraqitur javën e kaluar, për t’u bërë sa më shpejt pjesë e unionit.
Sipas asaj që raporton Sky News, zyrtari, i cili është i përfshirë në përgatitjen e samitit të BE-së në Versajë dhe foli në kushte anonimiteti, tha se të gjithë liderët ishin në favor të forcimit të lidhjeve me Ukrainën.
“Por pyetja është nëse ata do të jenë në gjendje të gjejnë konsensus për zgjerimin, që ndonjëherë është më i ndërlikuar”, tha zyrtari. Dhënia e anëtarësimit ka të ngjarë të shihet si një provokim nga Rusia.
Nafta shtrenjtohet sërish
Një tjetër rritje ka shënuar çmimi i karburanteve në vend, pas asaj më 5 Mars. Nga një vëzhgim që ka bërë Klan News në kryeqytet, në pikat e karburanteve çmimi është rritur 25-30 lekë.
Aktualisht në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve në Tiranë një litër naftë është 260 Lekë/litër. Rritje ka reflektuar edhe çmimi i gazit të lëngshëm. Në pikat e karburanteve për ata qytetarë që kanë makinat me gaz çmimi varion nga 95 në 99 Lekë/litër, ndërsa pak ditë më parë ishte 90-96 Lekë/litër.
Aktorët e tregut pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi ndërkohë që në bursë çmimi i naftës lëviz me shpejtësi të frikshme. Të mërkurën e 9 Marsit, një fuçi naftë e papërpunuar është 130 Dollarë, nga 90 Dollarë në Dhjetor.
Brenda një jave, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është rritur me 4 herë. Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 30%.
Në krahasim me mesataren prej 170 Lekë/litër që ishte gjatë vitit 2021, nafta në vend është shtrenjtuar me gati 50%.
Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më tepër për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi.
Kryeministri polak: Vendimi për t’i dërguar avionë Ukrainës duhet të merret nga e gjithë NATO
Çdo vendim për t’i dhënë avionë luftarakë Ukrainës duhet të merret bashkërisht nga të gjitha vendet e NATO-s, tha kryeministri i Polonisë gjatë një vizite që zhvilloi këtë të mërkurë në Vienë.
“Ne nuk kemi rënë dakord që të furnizojmë me avionë vetë, sepse duhet të jetë vendimi i të gjithë NATO-s”, tha Mateusz Morawiecki gjatë një konference për shtyp, raporton Sky News.
Reagimi i tij vjen pasi Pentagoni refuzoi ofertën e Polonisë, për t’ia dhënë të gjithë avionët e saj luftarakë MIG-29 SHBA-ve, në mënyrë që të mund t’ia kalojnë Ukrainës, duke e quajtur si të pa pranueshme.
Zëdhënësi John Kirby tha se propozimi për dorëzimin e avionëve në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani “ngre shqetësime serioze për aleancën e NATO-s. Thjesht nuk është e qartë nëse ka një arsye thelbësore për këtë,” tha ai.
BE po përgatit sanksione të tjera ndaj 100 qeveritarëve rusëve
Qeveritë e Bashkimit Europian po përgatisin sanksione të tjera të ndalimit të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve për rreth 100 rusë. Kryediplomati Josep Borrell tha se këto sanksione mund të njoftohen më vonë gjatë ditës së sotme.
“Shtetet anëtare po punojnë për një paketë sanksionesh, për rreth 100 persona përgjegjës në nivele të ndryshme të qeverisjes ruse”, deklaroi Borrel.
Rusia mban tashmë numrin një përsa i përket sanksioneve që i janë vendosur, duke lënë pas Iranin, Venezuelën, Mianmarin dhe Kubën.
Armëpushimi i pestë në Ukrainë
Një tjetër armëpushim hyri në fuqi në Ukrainë, prej orës 10:00 të paradites së kësaj të Mërkure me orën lokale, që mundëson largimin e civilëve nga zonat e luftimeve. Bëhet fjalë për armëpushimin e 5 pas dështimit të 4 të tjerëve që prej të Shtunës.
Efektiv deri më tani, armëpushimi rezulton në Sumi, ku gjatë orëve të fundit janë larguar 5 mijë banorë. Qyteti verior ukrainas ka rreth 400 mijë banorë. Moska ka planifikuar hapjen e 6 korridoreve për evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave për banorët e zonave të rrethuara. Krahas Sumit, korridore janë hapur edhe në Kiev, Harkiv, Mariupol e Çernihiv, ku ushtria ruse është në pritje të nisë një sulm të madh për marrjen e kontrollit, menjëherë pas largimit të civilëve. Të gjitha evakuimet po kryen drejt Rusisë dhe Bjellorusisë.
Prej 24 Shkurtit kur nisi sulmi rus, 2 milionë ukrainas janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian, shumica dërrmuese drejt Polonisë. Në hyrjet e qyteteve të mëdha që pritet të sulmohen, janë ngritur barrikada nga trupat ukrainase, ndër të cilët edhe në Odesa.
Mediat perëndimore shkruajnë se përparimi i ushtrisë ruse thuajse është ndalur, pasi vazhdon të hasë në rezistencën e fuqishme të trupave ukrainase të armatosura me armë të sofistikuara amerikane e britanike, sidomos kundratanke.
Në rrjetet sociale nuk reshtin pamjet e dëmeve që po i shkaktohen ushtrisë ruse. Dëme po i shkaktohen edhe furnizimeve për ushtrinë, teksa temperaturat në Kiev kanë arritur në minus 20 gradë Celcius, ndërsa ushtarëve rusë që presin urdhrin për sulm, po u bie morali, sipas mediave perëndimore dhe rrezikohen nga uria.
Sipas Kievit, deri më tani në luftime janë vrarë 12 mijë ushtarë rusë, një shifër që sipas Moskës është të paktën dhjetë herë më e ulët. Rreth 500 është numri i civilëve të vrarë, mes të cilëve 38 fëmijë.
Mariupol ka ushqim vetëm për 3 ditë
Një deputet ukrainas tha për BBC se autoritetet në qytetin e rrethuar juglindor të Mariupolit besojnë se u kanë mbetur në dispozicion vetëm tre ditë furnizime ushqimore.
Dmytro Gurin, prindërit e të cilit jetojnë në Mariupol, tha se zyra e kryebashkiakut i kishte thënë se rrugët e qytetit port janë të mbushura me trupa të pajetë dhe se autoritetet atje ishin detyruar të hapnin një “varr masiv për 33 persona, sepse varrezat janë të paarritshme për shkak të bombardimeve”.
“Tani kemi situatën ku civilët dhe qytetet paqësore po bombardohen masivisht“, tha Gurin. “Prindërit e mi jetojnë në lagjen lindore të Mariupolit, nuk ka asnjë infrastrukturë ushtarake në këtë zonë dhe nuk ka pasur kurrë”.
Gurin u bëri thirrje vendeve perëndimore të pranojnë se “Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar” dhe i kërkoi SHBA-ve që të lejojë Poloninë të pajisë Forcën Ajrore të Ukrainës me avionë të vjetër luftarakë MiG-29.
Serbia pezullon eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 Marsit. “Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, tha Vuçiç të martën.
Duke folur për televizionin serb B92, Vuçiç tha se shteti do t’i subvencionojë derivatet për fermerët.
“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë [rreth 1.5 euro] për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, tha Vuçiç.
Vuçiç shtoi se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për importin e energjisë nga Rusia. Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën.
“Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, tha Vuçiç.
Duke folur për gjendjen e rezervave të mallrave të Serbisë, më 2 mars, Vuçiç ka thënë se Serbia është e përgatitur për së paku dy muajt e ardhshëm.
Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës. (Burimi: REL)
“It will be better if we achieve results through peaceful negotiations.”
— Sky News (@SkyNews) March 9, 2022
Russian Foreign Ministry spokesperson Maria Zakharova says ‘we are hoping for more significant steps forward’ at the next round of talks.
Latest: https://t.co/X3flQUBL0r
? Sky 501, Virgin 602 and YouTube pic.twitter.com/ZJQqwoqaTn
Rusia akuzon SHBA: Po zhvillon armë biologjike në Ukrainë
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakhorava, dha këtë të mërkurë një konferencë për shtyp nga Moska, nga ku pretendoi se SHBA ka zhvilluar programe biologjike në Ukrainë.
Zakhorava kërkoi nga SHBA që të zbulojë detaje për çfarë ka bërë, duke shtuar se ajo ka parë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre se amerikanët po strehojnë komponentë të armëve biologjike pranë kufirit Ukrainë-Rusi.
Sipas saj, ky program drejtohet nga Ministria e Mbrojtjes së SHBA.
Disa ditë më parë një gjeneral-major rus, Igor Konashenkov, deklaroi në mediat ruse se SHBA po zhvillonte murtajën, antraksin dhe kolerën, për t’i përdorur në luftë biologjike.
Sa i përket negociatave me Ukrainën, Zakhorava tha se “do të jetë më mirë nëse arrijmë rezultate përmes negociatave paqësore”, duke shtuar se Kremlini “shpreson për hapa të rëndësishëm në raundin tjetër të bisedimeve”.
Ukraina ndalon eksportin e disa lloje drithërash, sheqerit, kripës dhe mishit
Ukraina ka ndaluar eksportin e thekrës, elbit, hikërrorëve, sheqerit, kripës dhe mishit deri në fund të këtij viti.
Sipas mediave ndërkombëtare, Ukraina është një ndër eksportueset më të mëdha të ushqimeve, e katërta në botë.
BE-ja i siguron 20% të importeve të drithërave nga ky vend dhe kjo sipas Sky News do të thotë që mund të ketë një numër mungesash ushqimore në të gjithë kontinentin për shkak të ndryshimeve.
Ukraina po ashtu i siguron bllokut materiale të tjera ushqimore, duke përfshirë 80% të mjaltit të saj. Çmimet e ushqimeve kanë nisur që të rriten në të gjithë botën dhe vendet do të duhet të përshtaten me ndryshimet.
Megjithatë ushqimet e nevojshme dhe produktet e higjienës do të vazhdojnë që të eksportohen nga Ukraina.
Foto të reja satelitore: Ç’po ndodh me autokolonën ruse
Maxar publikoi gjatë natës disa foto të tjera satelitore që duket se tregojnë një autokolonë ruse pranë aeroportit Antonov, i cili ndodhet vetëm disa kilometra në veriperëndim të Kievit.
Pamjet më poshtë tregojnë një urë të dëmtuar në Irpin, në jug të Antonovit dhe në periferi të kryeqytetit dhe trafik rreth saj.
Pamjet sugjerojnë se forcat po vazhdojnë të ecin drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, pavarësisht përparimit të ngadaltë gjatë dy javëve të fundit.
Kina akuza NATO-s për situatën Rusi-Ukrainë
Veprimet e NATO-s i kanë çuar tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë në “pikën e tyre më të lartë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.
Në dalje për mediat vendase, Zhao u kërkoi Shteteve të Bashkuara të marrin seriozisht shqetësimet e Kinës dhe të shmangin cenimin e të drejtave apo interesave të saj në trajtimin e çështjes së Ukrainës dhe lidhjeve me Rusinë.
Zhao u tha gazetarëve se “vendosja pa pushime e sanksioneve nuk do të sjellin kurrë paqe dhe siguri, por do të shkaktojë vështirësi serioze për ekonomitë dhe jetesën e vendeve të prekura”.
Siç raporton Sky News, ai tha se Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të kenë bashkëpunim normal tregtar, përfshirë tregtinë e naftës dhe gazit, në frymën e respektit reciprok, barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë.
Kina njoftoi pak ditë më parë se do të dërgonte ndihma humanitare në Ukrainë, me vlerë 791 mijë dollarë.
Don’t worry, be happy. In front of the barricades protecting now Opera House in #Odessa #Ukraine️ . @diariARA pic.twitter.com/KbquaYUEIK
— Cristina Mas (@cristinamas_) March 8, 2022
Ushtarët ukrainas kalojnë orët e ankthit në një mënyrë të pazakontë, duke luajtur me instrumenta muzikor këngën e njohur ‘Don’t worry be happy’
Shefi i CIA: Putin kishte në plan që ta pushtonte Kievin për 2 ditë
Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte në plan që ta pushtonte kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, brenda dy ditësh. Deklarata është bërë nga kreu i inteligjencës amerikane, CIA, William Burns.
Duke folur në një seancë dëgjimore në kongres, Burns paralajmëroi ligjvënësit amerikanë.
“Unë mendoj se Putin është i inatosur dhe i frustruar tani. Me shumë mundësi ai do të dyfishojë përpjekjet për të rrëzuar ushtrinë ukrainase pa marrë parasysh viktimat civile”, tha ai.
Burns e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës më 24 Shkurt si një çështje të “bindjes së thellë personale” për liderin e Kremlinit.
Diplomacia në lëvizje, çfarë pritet që të ndodhë sot
Diplomacia është në lëvizje ndërkohë që në Ukrainë zhvillohen luftime. Ditën e sotme pritet që të ketë lëvizje në Kremlin, SHBA, Europë, Britani dhe NATO. Në orën 10:00 do të dalë në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Pas kësaj, Presidenti i Francës Emmanuel Macron do të takojë udhëheqësin holandez Mark Rutte në Paris. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau do të takohet me kancelarin gjerman Olaff Scholz në Berlin.
Në mesditë do t’i lihet vendi kryeministrit britanik Boris Johnson i cili do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve britanikë.
Po ashtu pritet që të ketë një konferencë për shtyp mes Ministres së Jashtme të Britanisë, Liz Truss me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Refuzohet plani për t’i dërguar Ukrainës avionë luftarakë polakë
SHBA hodhi poshtë ofertën e Polonisë për të dërguar të gjithë avionët e saj luftarakë Mig-29 të prodhimit sovjetik në Ukrainë, nëpërmjet një baze ajrore amerikane në Gjermani.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se ngritja e avionëve luftarakë në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nisen nga një bazë e SHBA/NATO-s në Gjermani për të fluturuar në hapësirën ajrore që kontestohet me Rusinë mbi Ukrainën ngre shqetësime serioze për të gjithë. Aleancën e NATO-s.
BBC shkruan se SHBA u kap në befasi nga oferta e Polonisë, e cila erdhi si përgjigje ndaj thirrjeve të vazhdueshme të Ukrainës drejtuar aleatëve perëndimorë për ta furnizuar atë me avionë ushtarakë për ta ndihmuar teksa lufton forcat ruse.
Analisti ushtarak, Kol Brendan Kearney i tha BBC-së se ishte i çuditur nga qasja e Polonisë.
Ai tha se pilotët ukrainas mund shkojnë në këmbë përtej kufirit në Poloni dhe t’i marrin avionët në Ukrainë, një lëvizje sipas tij më e lehtë dhe më inteligjente.
“Qëllimi për t’i dhënë MIG-29 shtesë Ukrainës është fisnik, është i mirë, por që kjo të ndodhë do të duhet që ekspertë të fushës të ulën bashkë dhe të hartojnë një plan të mirëfilltë”, tha Kol Kearney.
2.2 milionë të larguar nga Ukraina
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët vlerëson se rreth 2.1 deri në 2.2 milionë persona do të jenë larguar nga Ukraina deri sot, që nga fillimi i pushtimit rus. Agjencia shton se numri do të vijë gjithnjë në rritje.
Rusia: Kemi prova që Ukraina kishte planifikuar sulm në Donbas
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se ka dokumente sekrete që tregojnë se Ukraina po planifikonte një sulm në rajonin separatist të Donbasit të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit. Vladimir Putin e njohu Donbasin si të pavarur vetëm disa ditë para se të pushtonte Ukrainën.
Dokumentet, të publikuara nga Ministria, dyshohet se tregojnë se Kievi kishte planifikuar një sulm në rajon dhe kishte bërë përgatitje luftarake.
Megjithatë, Sky News shkruan se këto dokumente, të cilat janë në gjuhën ukrainase, nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Strehohuni menjëherë! Alarm në qytetin e Kievit
Pak para orës 07:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure, banorëve në Kiev iu bë thirrje që të strehoheshin, pasi u dha një alarm ajror.
Kreu i administratës rajonale Oleksiy Kuleba tha në aplikacionin e mesazheve Telegram: “Rajoni i Kievit – alarm ajror. Kërcënim për një sulm me raketë. Strehohuni të gjithë menjëherë.”
Sipas asaj që shkruan Sky News, Kuleba sugjeron se një sulm rus mund të jetë i pashmangshëm.
Ku po ndodhin luftimet?
Kjo e mërkurë shënon ditën e 14-të të pushtimit rus të Ukrainës, e teksa disa qytete kanë rënë, Kievi mbetet në këmbë.
Forcat ruse vijojnë marshimin e tyre drejt kryeqytetit, megjithëse ngadalë, ndërsa qytetet në veri dhe lindje duket se janë pushtuar nga forcat e Vladimir Putin.
Sumy, nga i cili vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë larguar rreth 5,000 persona, ka konfirmuar një numër viktimash gjatë bombardimeve të ditëve të fundit, ndërsa Kharkiv në lindje mbetet i rrethuar.
Në jug të vendit, Mariupol, qyteti port i Detit të Zi, është nën rrethimin rus, ndërsa forcat përparojnë në perëndim dhe në veri të qytetit.
Latest Defence Intelligence update on the situation in Ukraine – 09 March 2022
— Ministry of Defence ?? (@DefenceHQ) March 9, 2022
Find out more about the UK government’s response: https://t.co/DjAjI4vbCk
?? #StandWithUkraine ?? pic.twitter.com/eAqudcHW05
Bombardimet vijojnë në disa qytete, por ushtria ruse nuk po përparon
Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se ndërkohë që luftimet vazhdojnë pranë Kievit, forcat ruse nuk po arrijnë të bëjnë asnjëlloj përparimi serioz.
Megjithatë, në përditësimin e situatës vihet në dukje se qytetet e Kharkiv (në kufirin lindor me Rusinë) Chernihiv (në veri), Sumy (në perëndim të Kharkiv) dhe qyteti port jugor i Mariupolit vijojnë të jenë në qendër të bombardimeve të rënda të forcave të Vladimir Putin.
Ministria e Mbrojtjes thotë se Ukraina ka pasur sukses kundër avionëve luftarakë të Rusisë, duke i penguar që të arrijnë kontrollin e hapësirës ajrore.
22 viktima nga një sulm ajror në Sumy, mes të vrarëve edhe 3 fëmijë
22 persona janë vrarë pas një sulmi ajror nga Rusia në qytetin e Sumy-t. Mes viktimave janë edhe 3 fëmijë.
Guvernatori i Sumy-t tha se Rusia ka bombarduar zona banimi duke e përshkruar incidentin “si vrasje masive”.
9 persona u vranë në një shtëpi. 6 shtëpi të tjera u dëmtuan plotësisht ndërsa 20 u dëmtuan pjesërisht.
Ndërkohë rreth 5 mijë persona kanë mundur që të largohen nga Sumy pasi Rusia pranoi që të ndalonte bombardimet dhe të linte një korridor humanitar të hapur.
REDAKSIA TVKLAN.AL