Një person thotë se është me fat që nuk hipi në aeroplanin që u rrëzua në Etiopi, pasi shkoi me vonesë në aeroport. Një shtetas grek i quajtur Antonis Mavropoulos, mbërriti 2 minuta me vonesë në terminal. Ai thotë se fillimisht ishte i revoltuar që nuk arriti në kohë. “

Isha i acaruar sepse askush nuk më ndihmoi që të mbërrija në kohë”

, shkruan ai në një postim në Facebook, që e ka titulluar “dita ime me fat”. Ai tregon se mësoi për rrëzimin e avionit pasi u pyet nga një oficer policie, i cili i tha se ishte i vetmi udhëtar që kishte rezervuar biletën dhe nuk ndodhej në bord, raporton BBC.

“Oficeri i policisë më tha mos të revoltohem, por t’i lutem Zotit”

, shkruan Mavropoulos pasi mësoi çfarë kishte ndodhur.

Antonis Mavropoulos është President i Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta dhe po udhëtonte në Nairobi për të marrë pjesë në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara për mjedisin. Të paktën 19 viktima nga rrëzimi i avionit janë raportuar se kanë qenë pjesë e OKB-së.

Sipas BBC, edhe një tjetër person nuk hipi në avion për shkak se u vonua në fluturimin e parë. Ahmed Khalid nga Dubai do të udhëtonte në Nairobi, por nuk kapi dot linjën e fluturimit. Babai i tij, i cili po e priste në Nairobi, dëgjoi lajmin për tragjedinë ajrore dhe mendoi se djali i tij ishte në atë aeroplan. Por, më pas e kontaktoi vetë i biri dhe i tha që nuk kishte hipur në avion për shkak se ishte vonuar.

Aeroplani Boeing u rrëzua të dielën në Etiopi rreth 6 minuta pasi ishte ngritur në fluturim. 157 persona që ishin në bord humbën jetën. Viktimat janë nga më shumë se 30 vende të botës, duke përfshirë kanadezë, britanikë, kenianë etj.

/tvklan.al