6 marsi shënon afatin e fundit kushtetues për ndërprerjen e mandatit të deputetëve të selisë rozë, nëse ata do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë Kuvendit. Por juristët e konsiderojnë antikushtetuese edhe mos pjesëmarrjen e deritanishme të tyre.
Çlirim Gjata sqaron për televizionin Klan, se është ligji themeltar i shtetit që i detyron deputetët që të përligjin votën e marrë nga populli në zgjedhjet e përgjithshme.
Çlirim Gjata: “Mos pjesëmarrja e deputetëve në Parlament është antiligjore, bile do thoja antikushtetuese. Pse? Një kandidat ka plotësuar kriteret e kandidimit, është quajtur kandidat zyrtarisht dhe i ka thënë popullit më jep votat të të përfaqësoj. Pra ka lidhur një kontratë dhe ka fituar po themi votat për tu përfaqësuar. Në këtë moment ai ka tagrin e përfaqësimit, nuk ia ka dhënë kush me zor, se ka marrë me zor. Është një kontratë e vullnetshme midis qytetare dhe qytetari do thoja dhe përfaqësuesit në fjalë. Tani përfaqësuesi thotë unë nuk të përfaqësoj për një, dy, tre arsye që popullit nuk i duhen fare. Ai është i detyruar të zbatojë ligjin dhe kushtetutën dhe të zbatojë tagrat e përfaqësimit, moszbatimi i tyre është antikushtetues.”
Por në arsyetimin e tij, juristi Gjata shkon më tej kur thotë se mandati është individual dhe jo kolektiv dhe si i tillë deputetëve të PS-s ai u është ndërprerë që në momentin kur iu është refuzuar të bëjnë betimin në shtator.
Çlirim Gjata: “Nuk ka nevojë në ndërprerjen e mandatit të lidhet as komision mandatesh e imunitetesh, as parlamenti fare. Mandati humbet ipsolege, domethënë direkt nga ligji, direkt nga kushtetuta e ka thënë këtu, kush bën betimin. Fakti që nuk kanë bërë betimin të nesërmen iu duhej ndërprerë. Atyre sot që nuk kanë bërë betimin iu është ndërprerë, janë pa mandat.”
Dhe në këtë kontekst, duke komentuar deklaratat e disa deputetëve socialist se nuk do ta djegim mandatin, juristi Gjata shpjegon se ky vendim i tyre është vetëm një detyrim kushtetues.
Çlirim Gjata: “Është detyrimi i tyre kushtetues të marrin pjesë, nuk është se po bëjnë ndonjë nder, po i bëjnë nder dikujt, kushdo qoftë se unë nuk merrem me emra konkret. Që një deputet po të bëj nder dhe po vij në parlament, jo, jo ke detyrim të shkosh për atë që të ka dhënë votën, ose mos i hyr kësaj rruge fare kjo është problemi. Por nuk është çështje se do të shkojnë dhe do të përligjin diçka, absolutisht të plotësojnë një detyrim shumë madhor që duhet ta bënin më herët.”
Në argumentin e tij zoti Gjata shpjegon dhe faktin se përse nuk është në juridiksionin e Kuvendit pretendimi i opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ai shkon më tej kur thotë se një nismë e tillë shkel dispozitën për ndarjen e pushteteve mes atij të gjyqësorit dhe legjislativit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro