“Pas hapjes së procesit gjyqësor ndaj Izet Haxhisë qëndron Rama”
Sali Berisha thotë që i ka thënë të gjitha në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit. Ish-kryeministri u pyet nga moderatori i emisionit “Opinion” nëse do të dëshmojë nëse thirret në gjykatë.
Ish-kreu i qeverisë u përgjigj duke thënë se e ka kryer detyrën e tij. Ndërkohë sipas tij vendimi për të nisur edhe njëherë gjyqin për këtë ngjarje ka prapavijë politike.
Berisha tha se kryeministri Rama do që të nxjerrë nga burgu Jaho Salihun duke përdorur të njëjtën skemë si me Dritan Dajtin.
Zoti Berisha, do të dëshmoni nëse do të thirreni në gjykatë?
Unë kam kryer detyrën time.
Në ç’kuptim?
Unë kam dhënë një deklaratë, e cila është shteruese për ato që unë kam ditur. Tani çfarë është ky? Ky është një proces i dytë politik, ky vazhdon. Edi Rama hakmerret për Nexhmie Hoxhën, për Kristaq Ramën, hakmerret për veten e tij, që shkoi në bunker me Azem Hajdarin më datën 20 Shkurt. Hapet procesi vetëm për të nxjerrë nga burgu vrasësin e kushedi sa personave, që është Jaho Salihi dhe për të nxjerrë jashtë pjesëmarrësin në këtë vrasje, sipas të gjitha dëshmive, Izet Haxhinë.
Këtë do ta gjykojë gjykata, këtë nuk mund ta bëjë Rama…
Qëllimi i Edi Ramës është të realizojë skenarin që realizoi me Dritan Dajtin. Rama ka marrë përsipër që të nxjerrë nga burgu Jaho Salihin, sepse ai kreu krim në emër të baballarëve të tij. Nuk e fal dot ai, natën e bunkerit kur u detyrua të ikë nga Tirana me ngashërime. Sepse të hapësh një proces, i cili ka kaluar të gjitha shkallët, përfshirë dhe Gjykatë Kushtetuese, i cili ka kaluar në materie, në thelb, edhe Strasburgun, këtë mund ta bëjë vetëm ai që ka, tani, të gjithë fuqinë ekzekutive.
Çështja e Azem Hajdarit, ju e konsideroni të zbardhur, të vërtetë, të plotë? Pra versioni zyrtar i prokurorisë dhe vendimi i gjykatës e shterojnë vrasjen e Azem Hajdarit sipas jush? Apo lenë akoma pikëpyetje?
Si ekzekutorë janë të gjithë të dënuar. Të ekzekutuar në mënyra të ndryshme, unë nuk di të ketë qenë njeri tjetër. Cili është porositësi? Është absolutisht shteti. Për mua Fatos Klosi, i cili ta thotë vetë, që unë e paralajmëroja.
Edhe Perikli Teta, edhe Fatos Klosi e kanë paralajmëruar edhe zyrtarisht Azem Hajdarin, si anëtar të Komisionit të Sigurisë për rrezikun që kishte, edhe me letra.
Azem Hajdari të ruhej nga shteti. Nëse një kapiten i policisë, një komisar policie kërcënon dhe tenton të vrasë një deputet, jo një lider siç ishte Azem Hajdari, në çdo vend të botës ai arrestohej./tvklan.al