Prej fillimit të vitit leku po vijon të dobësohet jo vetëm ndaj euros, por edhe dollarit dhe paundit britanik. Pranë pikave të këmbimit valutor pohohet se qytetarët po blejnë më shumë valutë se sa po shesin.
Lavdie Noka: “Dollari shkëmbehet me 105 lekë, euro shkëmbehet me 129.5 lekë. Para vitit të ri dollari ka qenë shkëmbyer 85 lekë, euro 123 lekë.”
Ish guvernatori Shkëlqim Cani teksa jep disa nga faktorët e mundshëm të dobësimit të monedhës vendase i kërkon Bankës së Shqipërisë të sqarojë publikun me atë çfarë po ndodh.
Shkëlqim Cani: “Faktori bazë është hyrjet më të pakta në valutë, pra kriza i ka dhënë efektet e veta, ka sjellë më pak valutë në vend dhe doemos leku dobësohet. Së dyti mund të jenë dhe faktorë psikologjikë, njerëzit të trembur mbi një pritshmëri jo të këndshme të kursit të këmbimit, pra në disfavor të lekut përpiqen që të këmbejnë lekët në valutë. Kam kërkuar që Banka e Shqipërisë të vepronte kundër faktorit psikologjik, për arsye se nëse e lejon një faktor psikologjik që të veprojë për një kohë të gjatë nga faktor psikologjik ai kthehet në faktor real.”
Ekspertët mendojnë se çmimi i lekut në këto nivele për momentin nuk përbën ndonjë rrezik për ekonominë. Shqetësim sipas tyre do të jetë nëse vijohet në këto ritme edhe muajt e ardhshëm.
Elvin Meka: “Disa vjet përpara raporti lek euro ishte në nivelet më të larta në favor të euros, pra mbi kuotën 130 lekë, ndoshta gjatë vitit 2008 ose 2007-2008 leku ka qenë tepër i mbivlerësuar dhe kjo për disa shkaqe që kanë të bëj unë kryesisht me ritmin gjithmonë rritës të dërgesave të emigrantëve dhe fluksit të investimit të huaja.”
Shkëlqim Cani: “Nëse do të ndërpritej, të kishim në dorë ne të dy ta ndërprisnim këtë nënçmim nuk do të ishte problem. Nëse ky faktor me këtë temë vazhdon dhe për muajt e tjerë kthehet në shqetësim por ekonominë se pastaj do të ndikojë doemos te inflacioni, do të ndikojë te deficiti buxhetor, sa më gjatë të jetë kjo hyrje e pakët e valutës aq më shumë goditje do ti jepet ekonomisë në importe. Kur ka lëvizje të kursit të këmbimit bëhet shumë e vështirë ose shumë e shtrenjtë kredia e marrë në valutë për të gjithë ata shqiptarë që e kanë marrë kredinë në valutë, por të ardhurat i kanë në lek.”
Për ministrinë e Financave kursi i këmbimit është rezultat i mungesës së valutës në vend dhe ky treg rregullohet nga ofertë-kërkesa, ndërkaq po kërkohet thithja e valutës nga emigrantët nëpërmjet rritjes së nivelit të garancisë pranë bankave tregtare./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguri
Operator: Isodor Rudho